Varicela është një sëmundje shpërthyese, shumë ngjitëse, që shkaktohet prej virusit herpetik të “variçela – zoster”. Ky është një virus që shkakton dy sëmundje:
zjarrin e natës (Herpes-Zoster) dhe linë e dhenve (Variçela).
Lija e dhenve (Variçela) nuk duhet ngatërruar në radhë të pare si nocion me linë e vërtetë (Variola), për të cilën ne jemi të vaksinuar qysh në fëmijërinë e hershme.
Variola (Lija e vërtetë) është një sëmundje virale e rëndë dhe shumë ngjitëse. Ajo ka qenë një sëmundje mjaft e përhapur në disa vende të Azisë, Afrikës dhe Amerikës së Jugut. Sot ajo është një sëmundje tepër tepër e rrallë, në vendet me nivel të ulët social-ekonomik. Njerëzimi ka arritur ta zhdukë këtë sëmundje në sajë të përdorimit të një vaksine mjaft efikase.
Cili është burimi i infeksionit të Lisë së dhenve (Variçelës)?
Burim infeksioni është njeriu i sëmurë me variçelë 1-2 ditë përpara se të shfaqet shpërthimi në lëkurë dhe derisa të zhduken koret.
Është një sëmundje që përhapet në rrugë aerogene (ajrit), nëpërmjet spërklave të pështymës ose edhe indirekt nëpërmjet rrobave apo sendeve që ka në përdorim i sëmuri. Sëmundja ka kryesisht karakter sezonal dimër-pranverë.
Cilat janë moshat që preken më shumë?
Zakonisht kjo njihet si sëmundje e fëmijërisë, pra prek më tepër fëmijët e vegjël. Gjithashtu është vënë re në një përqindje të konsiderueshme se shfaqet edhe tek të rinjtë, e në moshat e rritura dhe sidomos në të moshuarit që kanë një rezistencë më të ulët të organizmit të tyre, apo vuajnë më shpesh nga sëmundje të ndryshme kronike.
Si zhvillohet sëmundja?
Virusi hyn në organizëm me anë të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, shumëzohet dhe përhapet në të gjithë sipërfaqen e lëkurës, në shtresën e sipërme të saj që quhet epiderma. Kështu formohen vezikulat (fshika të mbushura me lëng). Kur vezikulat çahen, formohen koret (krustat) që do të bien pas një ose dy javësh. Fshikat nuk dalin vetëm në lëkurë, por edhe në mukozën e gojës, në qiellzë, në laring, në faring, në mukozat gjenitale etj. Këto shoqërohen me një prurit (kruajtje) mjaft të shprehur.
Cilat janë shenjat klinike të sëmundjes?
Periudha e inkubacionit (koha nga infektimi deri në shfaqjen e shenjave klinike) është mesatarisht dy javë. Fillimisht shenjat janë të përgjithshme, temperaturë 38 gradë, pa-rehati e përgjithshme. Shenja e parë në lëkurë është një kruajtje (prurit) në të gjithë trupin dhe një skuqje e lehtë qe të kujton fillimin e fruthit.
Pas këtij fenomeni, brenda 24 orëve shfaqen fshikat (vezikulat) e para, me lëng të qartë dhe rrethuar nga një unazë e kuqe. Temperatura dhe shenjat e tjera të përgjithshme nuk zgjasin më shumë se 3-4 ditë. Elementët e lëkurës shfaqen kudo, duke përfshirë pëllëmbët dhe shputat, por sidomos trupin, fytyrën dhe lëkurën e mbuluar me flokë. Për 2-3 ditë fshikat çahen, nxisin të kruara dhe formohen krusta (kore), që bien në ditën e dhjetë, duke lënë në mënyrë kalimtare një lëkurë të dëmtuar kur nuk ka infeksione nga gërvishtjet. Është karakteristike për këtë sëmundje që brenda një jave ndodhin 2-3 shpërthime të tilla në lëkurë, pra në të njëjtën pjesë të trupit hasen njëkohësisht elemente të lëkurës në faza të ndryshme zhvillimi. Çdo shpërthim i tillë shoqërohet me ngritje të temperaturës 38-39 gradë Celsius, si edhe me limfinoduj (gjendra) kalimtarë. Shërimi bëhet vetiu brenda 10-15 ditëve (në një subjekt me imunitet të ruajtur).
Ecuria e sëmundjes!
Pothuajse gjithmonë ecuria e sëmundjes është e mirë. Nganjëherë mund të kemi mbi-infeksion të lëkurës, si rezultat i pruritit të shprehur (kruajtjes).
Këto janë raste që duhen trajtuar me antibiotikë, por vetëm nga mjeku. Një ndërlikim tjetër mund të jetë pneumonia, të cilës i duhet kushtuar mjaft vëmendje, sepse mund të ketë pasoja. Një rekomandim i rëndësishëm për të sëmurët është që ata të mos lahen derisa të bien krustat (koret). Gjithashtu e rëndësishme është të qetësohen kruajtjet me barna antihistaminike (kundër kruajtjeve), sepse të sëmurët rrezikojnë për mbi-infeksione.
Tek të rriturit sëmundja kalon më rëndë se tek fëmijët. Mjaft rëndë e kalojnë sëmundjen edhe të sëmurët me dëmtime të imunitetit ose që vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike. Gjatë periudhës që janë të prekur nga kjo sëmundje, pacientët nuk duhet të shkojnë në shkollë ose në punë derisa të bien koret pasi janë burim infeksioni për të tjerët. Më tej rekomandohet një higjienë e mirë e duarve dhe prerje e thonjve (sepse mund të kemi infeksione dytësore nga kruajtjet)
Çfarë është variçela kongjenitale?
Nëse variçela ndodh tek një grua shtatzënë 5 ditë para lindjes apo pas saj, mund të kemi një variçelë të lindur (kongjenitale) të fëmijës, me bronkopneumoni, dëmtime të tubit tretës, të trurit me ecuri drejt vdekjes. Ndërsa kur variçela prek nënën gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë, mund të kemi tek fëmija dëmtime të gjymtyrëve, të syve apo të lëkurës. Prandaj është e rëndësishme të theksohet një kujdes i veçantë për gratë gjatë kësaj periudhe për t’iu shmangur kontaktit me sëmundjet infektive.
Parandalimi!
Vaksinimi nuk ka ndonjë vlerë të rëndësishme. Mund të ndikojë pozitivisht një imunoglobulinë specifike e cila përdoret kryesisht tek personat me ulje të imunitetit dhe ata që vuajnë nga sëmundje malinje. Vetë sëmundja lë imunitet të përhershëm. Pra variçela (lija e dhenve) kalohet vetëm një here në jetë. Përhapet nga njeriu te njeriu kryesisht me kontakt të drejtpërdrejtë e më pak me rrugë aerogjene. Mund të përhapet brenda të njëjtës familje, në çerdhe, në shkolla e në spitale.
Përhapja e infeksionit
Në përgjithësi kjo sëmundje është më e infektueshme rreth 2 ditëve të para të paraqitjes së puçrrave, dhe më pak e infektueshme në ditët kur ndodh tharja e tyre. Pacientët me variçelë nuk duhet të shkojnë në shkollë derisa të gjitha puçrrat të jenë tharë, proces ky që mund të zgjasë edhe më shumë se një javë.
Duke qenë se variçela është shumë e infektueshme, shumica e fëmijëve që kanë vëllezër ose motra të infektuar edhe ata do të preken nga sëmundja, ndërsa simptomat paraqiten 2 ditë pas fëmijës tjetër./ Shendeti.com.al
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...
Mungesa e energjisë elektrike, ministria e Ekonomisë del për...
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë
Atletico Madrid skuadra me më së shumti pikë në top pesë lig...
PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe, anulohet moscertifikimi...