Shtatë orë gjumë janë sasia ideale e gjumit për njerëzit në moshë të mesme dhe më lartë.
Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Cambridge në Britani të Madhe dhe Fudan në Kinë, më pak se shtatë orë gjumë ndikojnë në performancën e dobët njohëse dhe në dobësimin e shëndetit mendor, transmeton portal arbresh.info
Gjumi luan një rol të rëndësishëm në aktivizimin e funksionit njohës dhe ruajtjen e shëndetit të mirë psikologjik. Gjithashtu ndihmon në mbajtjen e trurit të shëndetshëm duke hequr produktet e mbeturinave.
Ndërsa rritemi, shpesh shohim ndryshime në modelet tona të gjumit, duke përfshirë vështirësinë për të fjetur dhe për të qëndruar në gjumë, si dhe ulje të sasisë dhe cilësisë së gjumit. Mendohet se këto shqetësime të gjumit mund të kontribuojnë në rënien njohëse dhe çrregullime psikiatrike në popullatën e plakur.
Në studimin e botuar në Nature Aging, shkencëtarët nga Britania e Madhe dhe Kina ekzaminuan të dhënat e afro 500 mijë të rriturve të moshës 38-73 vjeç. Pjesëmarrësit u pyetën për modelet e tyre të gjumit, shëndetin mendor dhe mirëqenien, dhe morën pjesë në një sërë testesh njohëse.
Ekipi zbuloi se kohëzgjatja e pamjaftueshme dhe e tepruar e gjumit shoqëroheshin me performancë të dëmtuar njohëse, si shpejtësia e përpunimit, vëmendja vizuale, memoria dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve.
Shtatë orë gjumë në natë janë sasia optimale e gjumit të mirë, të cilat ndikojnë për të mirë edhe në shëndetin mendor dhe ndihmojnë njerëzit që të përjetojnë sa më pak simptoma të ankthit dhe depresionit.
Studiuesit thonë se një arsye e mundshme për lidhjen midis gjumit të pamjaftueshëm dhe rënies njohëse mund të jetë për shkak të ndërprerjes së gjumit me valë të ngadalta, ose sikurse njihet në gjuhën popullore – gjumi i thellë.
Ndërprerja e këtij lloji të gjumit është treguar të ketë një lidhje të ngushtë me konsolidimin e kujtesës, si dhe me akumulimin e amiloidit – një proteinë kyçe e cila, kur paloset gabimisht, mund të shkaktojë “ngatërrim” në tru, karakteristikë e disa formave të demencës.
Studiuesit thonë se gjetjet sugjerojnë se kohëzgjatja e pamjaftueshme ose e tepruar e gjumit mund të jetë një faktor rreziku për rënien njohëse të plakjes.
Kjo mbështetet nga studimet e mëparshme që kanë raportuar një lidhje midis kohëzgjatjes së gjumit dhe rrezikut të zhvillimit të sëmundjes së Alzheimerit dhe demencës, në të cilën rënia kognitive është një simptomë dalluese./arbresh.info/
“Mirëmëngjesi bro”, i thotë Sara Drilonit, por këtij të fund...
Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri apel për masa parandaluese...
Ardhja bashkëatdhetarëve, mbi 1 orë pritjet për të hyrë në K...
Gjesti, ende i inatosur me Xhenetën, nis debat me të në dhom...
Roma fillon të këndellet, ‘shkatërron’ në shtëpi Parman
Kusari-Lila rrëfehet për kancerin e gjirit: E zbulova krejt ...