Shëndet me frutin e parajsës, e kuqja e parezistueshme e shegës

07:59 | 7 Dhjetor 2023
E.H

Shega njihet ndryshe si ‘fruti i parajsës’ dhe me plot të drejtë. Kombinimi i vlerave të saj shëndetësore dhe shija fantastike e bën shegën krejt të parezistueshme.

Tradicionalisht, shega njihet si simbol i shëndetit të mirë. Ajo ka veti antioksidante, antibakteriale dhe kundër radikaleve të lira.

Shega është burim i pasur vitaminash. Ajo përmban vitaminat A, C dhe E por edhe acid folik. Ky frut ka tre herë më shumë antioksidantë se vera dhe çaji jeshil.

Vetëm 30 minuta pas marrjes së lëngut të shegës aktiviteti ynë rritet me 32 për qind. Lëngu i shegës shuan etjen, nxit oreksin dhe përmirëson tretjen e ushqimeve.

Shegët shqiptare kultivohen më shumë në zonën e Beratit, Përmetit, Vaut të Dejës, por edhe në Delvinë apo Elbasan.

Por ky është momenti i shegëve të importit. Shegët e tanishme në treg kushtojnë rreth 250 lekë për kilogram dhe vijnë nga Egjipti, Turqia dhe Greqia.

Import ose produkt vendas, shega është zgjidhja e çdo dite. Vetitë e saj magjike nuk mbarojnë kollaj.

Studimet kanë zbuluar se njerëzit që pinin dy gota me lëng shege të shtrydhur në ditë, prej vitesh kishin rregulluar me 21 për qind presionin e gjakut.

Për më tepër, është vërtetuar se një gotë mbulon rreth 50 për qind të nevojave tona për vitaminë.

Vetitë kryesore të shegës për shëndetin

Të gjithë kemi dëgjuar që shega të bën mirë për zemrën dhe qarkullimin e gjakut. Ajo është e pasur me antioksidantë që parandalojnë dëmet në arterie.

Shega ndihmon gjithashtu në uljen e tensionit të gjakut. Por shega të bën mirë edhe për çrregullimet në stomak, kancerin, aneminë dhe diabetin.

Duke qenë se shega është e pasur me antioksidantë ajo ul nivelet e kolesterolit të keq. Shegën mund ta konsumoni edhe për të pastruar fytyrën, reduktuar inflamacionin etj.

Vlerat e shegës nuk kanë të mbaruar. Konsumimi i shegës ul mundësinë e lindjeve të parakohshme por edhe shanset për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit mes njerëzve të moshuar.

Ajo ndihmon të mbajë nën kontroll problemet e moshës siç janë rrudhat dhe u jep njerëzve një lëkurë mjaft rinore plot shkëlqim.

Për më tepër, shega ndihmon femrat të kapërcejnë simptomat e depresiont gjatë menstruacioneve ose pas menopauzës.

Studime të tjera kanë konfirmuar që lëngu i shegës ndihmon edhe me çrregullimet seksuale. Që në lashtësi, shega konsiderohej simbol i fertilitetit.

Një gotë lëng shege rrit nivelet e testosteronit tek meshkujt dhe femrat. Në këtë mënyrë shega është një afrodiziak natyral që përmirëson jetën seksuale.

Duke nisur nga kanceri i prostatës tek kanceri i gjirit, i mushkërisë dhe i lëkurës, shega luan një rol të rëndësishëm në parandalimin dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve të rrezikshme.

Nga ana tjetër, shega ndihmon me tretjen. Ajo e mban sistemin tretës të shëndetshëm për shkak të nivelit të lartë të fibrave.

Ngrënia e një shege çdo ditë është alternative e duhur për të marrë fibër sepse një frut plotëson 45% të dozës së rekomanduar ditore.

10 gjëra që nuk i dinit për shegën

Anglezët i thonë shegës “pomegranate” që do të thotë “mollë me shumë fara”.

Vendlindja e shegës është Lindja e Mesme.

Shega klasifikohet si superfrut.

Shega mund të ruhet në frigorifer deri në 2 muaj.

Shega nuk përmban kolesterol apo yndyrna të ngopura

Bima e shegës rritet në klimë të ngrohtë dhe të thatë

Pema e shegës mund të jetojë deri në 200 vjet.

Shumë studiues besojnë që ishte shega dhe jo molla ajo që tundoi Adamin dhe Evën në Kopështin e Edenit.

Në Kuran, shega përmëndet si një nga frutat që do të rritet në kopështet e parajsës.

Grekët e kanë traditë të çajnë shegën në tokë gjatë dasmave dhe Vitit të Ri./AgroWeb.org

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme