Google ADS

Rritet numri i vdekjeve nga tuberkulozi, OBSH e konsideron shkaktare koronavirusin

01:27 | 19 Tetor 2021
Trina Galanxhi

Vdekjet nga tuberkulozi janë rritur përsëri për herë të parë në më shumë se një dekadë, pasi pandemia e Covid-19 prishi qasjen e shërbimit shëndetësor, ka deklaruar Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Ky lajm është alarmant dhe duhet të shërbejë si një thirrje zgjimi globale për nevojën urgjente për për të investuar dhe inovuar, për të mbyllur boshllëqet në diagnostikim, trajtim dhe kujdes për miliona njerëz të prekur nga kjo sëmundje e lashtë, por e parandalueshme dhe e shërueshme”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së,  Dr Tedros Adhanom Ghebreyesus në një deklaratë, transmeton portal arbresh.info

Në raportin e TB Global 2021, OBSH vlerësoi se rreth 4.1 milion njerëz kanë tuberkuloz, por janë të padiagnostifikuar ose nuk janë deklaruar zyrtarisht tek autoritetet shëndetësore, një rritje e mprehtë nga 2.9 milion në vitin 2019.

Rreth 1.5 milion njerëz vdiqën nga tuberkulozi në vitin 2020, përfshirë 214,000 njerëz që gjithashtu kanë HIV.

“Numri do të vazhdojë të rritet nëse nuk ndërmerren veprime urgjente”, tha ai.

Sipas raportit të publikuar nga OBSH, shumë vende për shkak të Covid-19 kanë kufizuar aksesin në shërbimet thelbësore të pacientëve me tuberkuloz.

Rritja e numrit të vdekjeve rrezikon strategjinë e OBSH -së për të zvogëluar vdekjet nga tuberkulozi me 90 përqind dhe shkallën e incidencës me 80 përqind deri në vitin 2030, krahasuar me 2015, sipas AFP.

Numri i personave të sapo diagnostikuar me tuberkuloz dhe të deklaruar nga autoritetet ra në 5.8 milionë në vitin 2020, krahasuar me 7.1 milionë në vitin 2019, që përfaqëson një rënie prej 18 për qind nga niveli i vitit 2012.

Vendet që panë zvogëlimin më të madh të rasteve të tuberkulozit midis 2019 dhe 2020 ishin India, Indonezia, Filipinet dhe Kina.

Tuberkulozi është një sëmundje ngjitëse që vjen si pasojë e shëndetit të dobët dhe është një nga shkaqet kryesore të një numri të madh të vdekjeve në botë.

Deri në shfaqjen e pandemisë së koronavirusit, tuberkulozi është konsideruar si e vetmja sëmundje infektive vdekjeprurëse.

Ajo shkaktohet nga bacili mycobacterium tuberculosis, i cili përhapet kur njerëzit dëbojnë bakteret në ajër (p.sh. nga kollitja). Sëmundja zakonisht prek mushkëritë (tuberkulozi pulmonar) por mund të prekë zona të tjera.

Në shumicën e rasteve sëmundja prek burrat./arbresh.info/

Të ngjashme