Auditimi i programit për trajtim jashtë institucioneve shëndetësore publike ishte tema e dytë që sot shqyrtoi Komisioni Parlamentar për Mbikëqyrje të Financave Publike.
Për të raportuar në lidhje me këtë auditim në Komision është ftuar ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani.
Edhe Rrahmani mori kritika sikurse kolegu i tij nga Ministria e Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, i cili u kritikua nga deputetët në lidhje me raportin.
Deputeti i PDK-së Avdyl Imeri, kërkoi nga ministri të dijë nëse rastet trajtohen në bazë të urgjencës dhe se a ka ndërhyrje në raste të përzgjedhjes së pacientëve.
“Është mirë që këto procedura të përshpejtohen. Ta zëmë kjo ndërhyrja , ta zëmë dikush mund ta ketë dikë përpara që me pas parasysh njëfarë administrimi të të dhënave edhe mënyrën prej datës kur aplikon me u marrë në mënyrë të rregullt e jo unë ka aplikuar me datën 15 e ai me datën 20 edhe del para meje. Është çështje me të cilën duhet me pas kujdes se është e ndjeshme te pacientët”, tha Imeri.
Synavere Rusha nga LDK pati një propozim në këtë mbledhje. Ajo tha se do të ishte më mirë që mjetet e ndara për pacientë jashtë vendit të shfrytëzohen në blerje të aparaturave.
“Shihet që shuma për vitin 2015 ka qenë rreth 7.8 milionë euro, dhe për vitin 2014 janë 7.9 milionë euro. Janë diku 100 mijë euro më pak se në vitin 2015. …Trajtimi jashtë institucioneve u adresohet atyre pacientëve të cilët nuk marrin shërbime brenda institucioneve dhe kushtet tona nuk i lejojnë ato mundësi. Prandaj janë një kategori e personave që ndihmohen dhe duhet pasur kujdes kur ti trajtojmë…Mendoj që kjo shumë të zvogëlohet dhe të kemi mundësi për aparatura më të mira më moderne dhe thjeshtë këto shërbime t’i marrin brenda institucioneve tona se një vlerë që është afër rreth 8 milionë euro të shkohet në blerje të aparaturave”, tha Rusha.
Deputeti Ali Sadriu, tha se udhëzimi administrativ duhet që të ndryshohet urgjentisht.
“Ky proces ka filluar në vitin 2002, me një udhëzim administrativ tjetër që ndërkohë e kishin ndërruar dhe mund të themi që në atë udhëzim kishit lënë shumëçka që duhet me u shqyrtuar se ajo e ka hap derën edhe nuk është rastësi që tani i ke ato proceset e stentës. Kam parasysh kompetencat e sekretarit të përhershëm e keni lënë deri në 9 mijë euro ai vendos vet . Pa e njoftuar ministrin fare. Unë nuk e di si e ka lejuar Ministria e Financave këtë udhëzim administrativ dhe ketë do ta bisedoj me ministrin e Financave”, tha Sadriu.
Ndërsa Enver Hoti nga Nisma është interesuar arsyen pse Ministria nuk informon pacientët të cilët kërkojnë mjete financiare, për mos aprovim të kërkesës së tyre.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve ministri Rrahmani tregoi se posa e ka marr punës si ministër i ka filluar procedurat për ndryshimin e këtij udhëzimi administrativ.
“Ne iu kemi përveshur punën që ta përmirësojmë situatën në shfrytëzimin e këtij programi që është subvencionim i shërbimeve shëndetësore të cilat mund të ofrohen brenda institucioneve tona publike. E kemi bërë ndryshimin e Udhëzimit të parë e kemi bërë plotësim ndryshimin e udhëzimit në fakt i cili në një periudhë të tillë të adresimit nuk ka mund me i analizuar të gjitha sfidat që janë paraqit më vonë edhe që kanë qenë në trashëgimin edhe proceset më herët. Kemi kërkuar nga zyra e ministrit një Auditim të brendshëm të procesit dhe i kemi evidentuar pothuajse këto parregullsi që i ka evidentua edhe Auditori. Për të cilat ne kemi marrë masa dhe vërehet se në vitin 2015-të ka pasur përmirësime dhe segmente ku ka pasur mundësi të përmirësohet aty për aty.. Janë bëre ndryshime që sigurisht do të rrisin transparencën e shfrytëzimit të këtyre mjeteve sikurse që janë bërë ndryshime me një farë mënyre do të lehtësojnë format e aplikimit…Kemi vendosur edhe çmimet referente si shtojcë të UA-së”, tha Rrahmani.
Ai i ka informuar po ashtu anëtarët e Komisionit se qysh nga dje është në proces të dëgjimit publik drafti i ri për Udhëzimin Administrativ.
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...