Google ADS

Rakia parandalon koronavirusin? Ekspertët thonë se…

01:16 | 5 Mars 2020
Trina Galanxhi

“I vetmi ilaç në të cilin besojnë shqiptarët, është rakia. Dhe qenka ilaç me të vërtetë”. Kështu besohet të ketë shkruar Fan Noli në një letër dërguar Milto Gurrës në Janar të vitit 1919. Megjithatë, nuk është vetëm Noli. Shqiptarët zënë be e rrufe për vlerat fantastike të rakisë e cila në përmbajtjen e saj ka nga 20 deri në 50% alkool, në varësi të përgatitjes. Në popull, besohet se një teke raki në ditë pastron yndyrnat në gjak, por jo vetëm: rakia besohet të luftojë gripin dhe virozat.

Rakia gjen një përdorim të gjerë në shtëpi të e shqiptarëve kryesisht për probleme të lehta shëndetësore. Ajo përdoret për të pushuar dhimbjen e dhëmbit. Mjafton të pini një gllënjkë raki, ta mbani në zonën e dhimbjes dhe për pak minuta ajo do të largohet. Shqiptarët e pinë rakinë edhe për të luftuar stresin, por ky i fundit luftohet me një teke dhe jo me të gjithë shishen sigurisht. Rakia përdoret në popull edhe për të pastruar dhe dezinfektuar rrugët e frymëmarrjes, veçanërisht në dimër. Një gllënjkë raki këshillohet në popull kur jemi me grip dhe të ftohur për shkak të përmbajtjes së lartë të alkoolit.

A mund të përdoret rakia kundër koronavirusit?

Pavarësisht këshillave të popullit, përgjigja është “jo”. Shkenca apo edhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë, nuk e mbështesin idenë se pijet me përqindje të larta alkooli ju mbrojnë nga Koronavirusi. Në lidhje me përdorimin e rakisë si dezinfektues lokal, ka një përjashtim por jo aq efikas. Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, një organizatë ombrellë për autoritetet e shumë vendeve të botës, që një pije me bazë alkooli të dezinfektojë ajo duhet të përmbajnë të paktën 60% alkool. Kjo është sasia minimale e alkoolit që pengon përhapjen e viruseve dhe baktereve, nëse ato nuk kanë hyrë tashmë në trup.

Rakia mund të përdoret si dezinfektues i lehtë i duarve, por ajo nuk është shumë efikase për sa kohë përmbajtja e alkoolit mbetet nën 50%. Sipas ekspertëve, vetëm dezinfektuesit me bazë alkooli 60-95% mund të pakësojnë dhe shkatërrojnë numrin e mikrobeve në duar shumë shpejt. Sidoqoftë mënyra më e mirë për të pastruar lëkurën nga prania e virusit dhe mikrobeve në përgjithësi është uji dhe sapuni. /Marrë nga AgroWeb

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme