Pse nuk duhet të kemi frikë nga Covid-19

13:21 | 19 Mars 2020
Arbresh.info

Sistemi imunitar i species njerëzore ka evoluar në qindra mijë vjet për t’i bërë ballë qindra mijë mikroorganizmash dhe i ka përballuar ato me sukses deri sa kjo specie ka mbijetuar dhe ka kaluar numrin prej 7 miliard në botë.

Virusi i ri SARS-CoV-2 që po shkakton infeksionin Covid-19 është një virus i familjes se koronaviruseve, që ka ngjashmëri shumë të lartë me një koronavirus të izoluar në lakuriqin e natës. Duket se nga lakuriqi i natës ky virus ka kaluar në një kafshë të ndërmjetme dhe pastaj te njeriu duke u transmetuar më pas nga njeriu te njeriu nëpërmjet spërklave që dalin nga rrugët e frymëmarrjes nëpërmjet të folurit, kollës apo teshtitjes. Ai mund të rrijë deri 3 orë në ajër dhe gjëndet kudo në sipërfaqe të ngurta ku mund të jetojë nga disa orë deri në 3 ditë, por fatmirësisht shkatërrohet nga temperaturat mbi 27 gradë Celsius, dezinfektantët më të zakonshëm si dhe larja me detergjentë.

Njeriu infektohet me anë të rrugëve të frymëmarrjes. qoftë direkt ose me anë të duarve. Virusi SARS-CoV-2 është shumë i ngjashëm me virusin SARS-CoV-1 i cili njihet se ka shkaktuar një epidemi më të kufizuar në vitin 2003 por me një vdekshmëri të lartë deri në 10%. Por virusi SARS-CoV-2 duket se ka një transmetim më të lartë nga njeriu te njeriu në krahasim me SARS-CoV-1 ose dhe me virusin e influencës stinore (gripi sezonal).

Covid-19 karakterizohet nga një sëmundje akute që në një individ me sistem imunitar normal vetëshërohet brënda 2 deri 3 javësh në rreth 95% të rasteve. Komplikacioni kryesor i infeksionit Covid-19 është prekja e mushkërisë në formën e një pneumonie. Në disi më pak se 5% të rasteve ecuria e sëmundjes mund të jetë më e rëndë dhe të kërkojë shtrim në spital për të marrë ndihmë të specializuar dhe kryesisht dhënje oksigjeni apo frymëmarrje të drejtuar në rastet më të rënda.

Vdekshmëria totale nga ky infeksion është akoma herët të vlerësohet me saktësi se ajo është gjithmonë në dinamikë dhe varet mjaft nga sa kapen të gjitha rastet e personave të infektuar, sidomos ato me shenja të lehta gripale apo pa shenja fare. Ajo është gjithashtu mjaft e lidhur me moshat që preken në një popullatë të caktuar. Në përgjithësi vlerësohet se vdekshmëria nga Covid-19 është më e lartë se vdekshmëria në epidemitë gripale (nga virusi i influencës) e cila llogaritet në rreth 0.1%.

Popullata njerëzore duket se nuk ka aktualisht imunitet të gatshëm ndaj këtij virusi dhe prandaj duhet të futet në lojë imuniteti i fituar ose sic quhet ndryshe imuniteti adoptiv. Ky i fundit zhvillohet vetëm pas kontaktit me virusin, nëpërmjet një mobilizimi të limfociteve që janë përbërësit kryesorë të ketij imuniteti. Mobilizimi i këtyre limfociteve si dhe prodhimi i antitrupave specifikë cojnë në eliminimin e virusit dhe shërimin e sëmundjes pa lënë asnjë pasojë.

Fitimi i këtij imuniteti krijon një rezistencë të qëndrueshme që është e nevojshme për të krijuar atë imunitet të ashtuquajtur të “tufës” (herd immunity) i cili i nevojitet popullatës për të mposhtur epideminë nga një mikroorganizëm qoftë ky dhe i krijuar rishtas.

Që të krijohet ky “imunitet i tufës” duhet që një përqindje e konsiderueshme e popullatës, të paktën mbi 50% e saj, të ketë krijuar imunitet ndaj virusit. Kjo realizohet ose nga kontakti me virusin gjë e cila po ndodh aktualisht, ose me anë të vaksinimit të popullatës e cila shpresohet të realizohet në muajt e ardhshëm.

Prandaj nuk duhet të trëmbemi nga kontakti me këtë virus se ajo është e vetmja mënyrë për të krijuar imunitet të qëndrueshëm. Kjo po ndodh natyrshëm në individët me sistem imunitar normal që përbëjnë shumicën dërmuese të popullatës. Por, duhen ruajtur me kujdes ata individë qe kanë një sistem imunitar më të brishtë. Për fat, femijët dhe të rinjtë kanë një reagim imunitar shumë të mirë ndaj këtij virusi dhe në përgjithësi duket se moshat nën 50 vjec do të përbëjnë atë pjesë të imunizuar të popullatës që do të shërbejë si shtresë mbrojtëse ndaj pjesës më të prekshme ndaj virusit SARS-CoV-2 që janë moshat mbi 60 vjec.

Ndër këta, më të rrezikuar janë personat me sëmundje kronike si diabet, sëmundje të mushkërive, të zemrës, hipertension, kancer, etj. Izolimi fizik dhe distancimi social duhet të fokusohet kryesisht në këto mosha që kanë predispozicionin më të lartë për të patur prekje më të theksuar të mushkërive.

Masat e izolimit fizik dhe distancimit social kanë për qëllim të ngadalësojnë në maksimum përhapjen e infeksionit sepse një përhapje e shpejtë e tij do të vinte në një stres të jashtëzakonshëm sistemin shëndetësor të një vendi që nuk do të mund të përballonte një fluks të menjëhershëm të sëmurësh që kërkojnë ndihmë shëndetësore.

Në këtë situatë, kur tashmë ne e njohim shkakun e këtij infeksioni të përhapur, mendoj se aktualisht do të ishte e padobishme dhe praktikisht e pamundur analiza e pranisë së virusit në cdo individ që dëshiron ta bëjë atë. Kjo analizë duhet të kërkohet vetëm nga mjeku dhe të kërkohet në ata të sëmurë që rrezikohen të kenë komplikacione nga sëmundja dhe që mund të kenë nevojë për ndjekje spitalore. Përcaktimi i antitrupave në gjak i cili eshte një ekzaminim më i lehtë dhe më i lirë per tu realizuar do të na informonte më mirë se cilët individë kanë krijuar tashmë imunitet dhe nuk kanë nevojë të izolohen dhe cilët jo.

Aktualisht, për arësye të kohës së shkurtër të ecurisë së infeksionit Covid-19 teste të tilla nuk janë akoma disponibël.

Infeksioni Covid-19 është pa dyshim një “stress-test” për sistemin shëndetësor të një vendi. Ai ve në pah rëndësinë që ka mbajtja në eficiencë e një sistemi shëndetësor publik me kapacitete të fuqishme për të përballuar cdo emergjencë shëndetësore.

Këto kapacitete nevojiten të menaxhohen nga sistemi publik dhe profesionistët e mjekësisë. Lënja në dorë e tyre në formë koncesioni kompanive private fitimprurëse jo vetëm rrit jashtë mase kostot e shërbimit shëndetësor publik po gjithashtu e bën të pamundur mobilizimin efektiv dhe të gjithanshëm të tij në emergjenca shëndetësore si kjo e tanishme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme