Gjendja e përgjithshme në shëndetësi, sfidat e saj, a ka bashkëpunim mes mjekëve shqiptarë dhe serbë, si dhe të ngjashme, ishin temat që u diskutuan mes mjekëve shqiptarë e serbë gjatë konferencës “Marrëdhëniet ndëretnike dhe shëndetësia në Kosovë ” të hënën në Mitrovicë.
Doktoresha serbe, Rada Trajkoviq, e cila ka qenë edhe deputete e Kuvendit të Kosovës ka thënë se serbët e Kosovës nuk mund të mbijetojnë pa Beogradin, sidomos kur bëhet fjalë për sistemin shëndetësor.
Serbët në spitalin e Prishtinës, shtoi ajo, nuk mund të ndjehen mirë kur nuk dëgjojnë bie fjala asnjë fjalë në gjuhën e tyre.
“Sot jemi krejtësisht të ndarë. Nuk mund të mos e them dhe të flas tash për ndonjë dashuri të madhe, sepse unë vërtetë nuk e ndjej…Nuk duan serbët të vinë të bisedojnë, nuk duan më të kenë lidhje me sistemin e përbashkët të Kosovës, ne jemi gati që 18 vite të lidhur pothuajse tërësisht me Beogradin”, tha ajo.
Por kolegia e saj shqiptare Nexharije Pllana, iu kundërvu Trajkoviqit duke e pyetur se si ndjehen shqiptarët e Preshevës të cilët mjekohen në spitalin e Vranjës dhe asnjë njeri nuk iu flet në gjuhën e tyre amtare.
“I bëj pyetje doktoreshës Rada, a thua si ndjehet popullata shqiptare në jug, në luginën e Preshevës që trajtohet nëpër spitalet e Vranjes, ku 85 përqind e të gjitha spitaleve e përbëjnë shqiptarët dhe asnjë njeri nuk flet në gjuhën e tyre amtare, dhe ata prapëseprapë ndjehen komod. Ne duhet që njëherë e përgjithmonë të lirohemi nga petku ynë nacionalist dhe t’i shikojmë gjërat përpara, sepse mjekësia në botë ka përparuar shumë dhe ne kemi ngecur…Ne profesionistët shëndetësorë duhet t’u prijmë proceseve që të ndihmojmë në relaksimin e marrëdhënieve ndërnjerëzore fillimisht, mandej në relaksimin e marrëdhënieve ndëretnike”, tha Pllana.
Edhe Sinan Prekazi, u shpreh i habitur që edhe pas kaq vitesh dëgjon nga disa kolegë serbë se nuk duan institucione të përbashkëta shëndetësore.
Ai sqaroi përjashtimin e mjekëve shqiptarë nga spitali i veriut të Mitrovicës, vetëm për shkaqe të etnisë.
“Neve nuk na deshën prezent, ne nuk bëmë asgjë të keqe, bashkë kemi jetuar, punuar, vepruar, dhe asnjë prej neve nuk është përjashtuar për shkaqe profesionale, por vetëm për shkaqe etnike. Dhe tash pas 20 vitesh unë prapë po dëgjoj se serbët nuk duan t’i kenë institucionet e përbashkëta shëndetësore. Kjo është domethënëse, kjo flet mjaft, dhe unë nuk besoj se ky është qëndrim i të gjithë serbëve”, ka thënë Prekazi.
Por në këtë takim të parin pas luftës kishte edhe mjekë të cilët kërkonin që të ndodhë pajtimi.
Musa Miftari, tha se bashkëpunimi ndëretnik duhet të fillojë në radhë të parë nga vetë mjekët.
“Është e logjikshme se kush duhet i pari me fillu. Të parët fillojnë mjekët sepse ne të gjithë e kemi dhënë betimin e Hipokratit. Ne jemi nxënës të Hipokratit, Galenit, Ambroise Pares dhe të shumë njerëzve të njohur të botës…Ne jemi të parët të cilët duhet të vendosim marrëdhëniet e mira kolegiale, njerëzore dhe humane…Barrierat që ende ekzistojnë, i pengojnë pacientët që për shembull të lajmërohen tek unë, janë kryesisht për shkak të paragjykimeve”, ka thënë mes tjerash Miftari.
Rade Jankoviq, ka bërë të ditur se gjatë punës së tij shumëvjeçare ka bashkëpunuar shkëlqyeshëm me kolegët shqiptarë dhe nuk ka pasur asnjë problem.
Sipas tij, ai këtë traditë të mirë e vazhdon edhe sot, ndërsa ka apeluar në përafrim, pajtim dhe falje të njerëzve mes vete.
”Profesioni ynë është shumë i ndjeshëm, është veprimtari shumë e rëndësishme shoqërore dhe kisha thënë lirisht edhe më e rëndësishme se sa arsimi, sepse bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve të njerëzve. Unë kam pasur fatin e tillë të punoj me njerëz të ndershëm, të vyeshëm dhe nuk kam pasur asnjëherë problem të asnjë natyre, përveç ndonjëherë që jemi plotësuar rreth diagnostifikimit…Kjo traditë që ka ekzistuar dikur, unë personalisht kam provuar ta vazhdojë… Duhet të afrohemi, të pajtohemi, të falim”, theksoi Jankoviq.
Kjo ngjarje që ka takuar për herë të parë pas luftës mjekët shqiptarë dhe serbë në qytetin e Mitrovicës, u organizua nga RTV ‘Mitrovica’ dhe RTV ‘Mir’ nga Leposaviqi, ndërsa u mbështet nga OSBE-ja dhe UNMIK-u.
Peci s’ndalet, kësaj radhe punëson motrën e Xhelal Sveçlës
Bislimi në Poloni thotë se Kosova ka shënuar progres të shpe...
Po të shikonte veten në pasqyrë, Osmani do të shihte angazhi...
11 vjeçarit në Zhur i sekuestrohet Lamborghini, babai nuk pr...
Bunjaku reagon ndaj kryetares së Autoritetit te Konkurrencës...
Moti i keq në Shqipëri/ Bllokohen disa akse rrugore, disa zo...