Për 6 muaj, 160 raste të reja me kancer të gjirit në Kosovë

10:33 | 2 Shtator 2017
Arbresh.info

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti në Kosovë, janë paraqitur 160 raste të reja me kancer në gji. Përderisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kanë qenë 20 raste më pak, bëjnë të ditur zyrtarë shëndetësorë.

Ndërkaq, sipas zyrtarëve të Institutit Onkologjik, brenda një viti në Kosovë preken me lloje të ndryshme të kancerit, rreth 800 persona.

Ekrem Hyseni, drejtor i Institutit Onkologjik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo gjendje nuk paraqet një rritje reale të numrit të të prekurve me kancer të gjirit, por vetëdijesimi i grave për diagnostikim të hershëm, ka ndikuar në rritje të numrit të të sëmurëve, pasi që shumë raste në të kaluarën janë zbuluar në faza të mëvonshme të sëmundjes.

“Pothuajse çdo vit rritet numri i të prekurve me kancer, por që më shumë është rreth asaj se tani kemi zbulim të hershëm dhe ka një rritje të efikasitetit të pajisjeve, pastaj është edhe sensibilizimi e të tjera. Kështu që mendoj se nuk paraqet shqetësim kjo rritje”, thotë Hyseni.

Sa u përket barnave për trajtimin e sëmundjes së kancerit të gjirit, nënvizon ai, kryesisht kishte një mbulim të mirë gjatë kësaj periudhe të vitit.

“Për kancerin e gjirit kemi furnizim stabil, mirëpo në tremujorin e katërt mund të ketë mungesë, pasi që edhe Qeveria është në detyrë dhe kjo mund të ndikojë. Ndonëse kohë pas kohe kemi pasur mungesë të herceptinës, që është një ilaç që përdoret për trajtim të kancerit të gjirit”, bën të ditur Hyseni.

Sidoqoftë, hulumtimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tashmë kanë tërhequr vërejtjen se me një kujdes më të madh të njerëzve, sëmundja e kancerit edhe mund të parandalohet në shumë mënyra.

Por, patologët në Kosovë thonë se vendet e zhvilluara kanë programe të posaçme për parandalim. Kjo bën që vdekshmëria e të prekurve me kancer të jetë 30 për qind, krahasuar me 70 për qind sa e kanë vendet e pazhvilluara dhe me buxhet të ulët.

Për programet e vetëdijesimit janë përkujdesur ndër vite gra, të cilat kanë qenë pjesë e Qendrës Kosovare për luftimin e kancerit “Jeta Vita”.

Nafije Latifi konsideron se sistemi i edukimit shëndetësorë në shkolla dhe në përgjithësi nuk është në nivel të duhur. Por, ajo thotë se që nga themelimi i kanë informuar gratë për kancer të gjirit përmes formave të ndryshme të informimit.

“Me mijëra gra kanë vijuar punëtoritë tona në gjithë Kosovën që kemi mbajtur si formë vetëdijesimi. Aty ka pasur ekspertë mjekësorë që kanë ligjëruar duke i informuar për gjithçka që ka të bëjë me kancerin në gji. Mendoj se ne kemi arritur që mesazhin ta përcjellim në çdo shtëpi përmes promove televizive…”, thotë Latifi.

Ndryshe, nga hulumtimet dhe të dhënat botërore që i ka prezantuar Bordi Nacional i Kancerit në Kosovë, thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030 të shtohet ky numër në 21.7 milionë, kanë deklaruar profesionistë të fushës.

Ndërkaq, sa i përket vdekjeve nga kanceri në botë, aktualisht janë 8.2 milionë raste në vit, derisa deri në vitin 2030 thuhet se do të ketë deri në 13 milionë vdekje

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme