Nisin aktivitetet e edukimit për shëndetin e dhëmbëve tek fëmijët

18:14 | 3 Shtator 2017
Arbresh.info

Me fillimin e vitit të ri shkollor, rifillojnë edhe aktivitetet në kuadër të projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, projekt që ka për qëllim informimin e fëmijëve – nxënësve për rëndësinë e shëndetit oral (shëndetit të dhëmbëve dhe të gojës).

Me këtë rast, dentisti Xheladin Ujkani, ideator dhe udhëheqës i këtij projekti, së bashku me fëmijët dhe nxënësit e Institucioneve parashkollore dhe fillore, do të bashkëbisedojnë për ushqimet e shëndetshme dhe ato të dëmshme për dhëmbët, për metodën e drejtë dhe të rregullt të pastrimit të dhëmbëve, si dhe për raportet miqësore që duhet krijuar fëmijët me dentistin (stomatologun), si më poshtë: 1. Fëmijët do të informohen në detaje për ushqimet dhe pijet që nuk shkaktojnë dëme te dhëmbët, si: uji, qumështi, çaji kamomil, djathi, buka, pemët dhe perimet e freskëta.

Si dhe për ato të dëmshmet: Çokollatat, ëmbëlsirat, bonbonet, çipsat, kikirikët, farat me krip dhe piper, pijet e gazuara… 2. Fëmijët do të informohen se për të pasur dhëmbë të shëndoshë, të pastër dhe të bardhë, ata duhet t’i pastrojnë dhëmbët në mëngjes, gjatë ditës sipas nevojës dhe në mbrëmje para gjumit. Pastrimi i dhëmbëve duhet të fillojë me sipërfaqen e jashtme, me dhëmbët e sipërm nga lart-poshtë, ndërsa dhëmbët e poshtëm nga poshtë-lart. Pastaj, sipërfaqen e brendshme, sipërfaqen e kafshimit nga para-pas dhe me një lëvizje edhe gjuhën.

Të gjitha këto do të ilustrohen me maketat speciale. 3. Raporti miqësor me fëmijët është parakusht për një vizitë stomatologjike të suksesshme. Pavarësisht se prindërit dhe familjarët, shpeshherë pa dashje, përvojën jo të mirë të tyre në raport me vizitën te dentisti e bartin tek fëmijët, janë dentistët ata që duhet të tregohen të afërt dhe miqësor e të mos u bëjnë presion fëmijëve.

Janë dentistët ata që duhet të mundohen që përmes bashkëbisedimit të fitojnë besimin e tyre.

Kështu, procedura e mëtutjeshme do të jetë e pranueshme nga fëmijët, në të shumtën e rasteve pa dhimbje e pa pasur fare nevojë për anestezion (injeksion). Në fund të aktivitetit, çdo fëmijë që ka dëshirë, do të shtrihet në karrigen stomatologjike, si një formë tjetër e çlirimit nga frika.

Po ashtu, fëmijëve e nxënësve do t’u shpërndahen dhurata – brusha të dhëmbëve me pastë.

Ky është viti i gjashtë i realizimit të projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, projekt që monitorohet dhe bazohet në rekomandimet e Komitetit Ndërministror të programit ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS).

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme