MSh shpallë 300 artikuj për tenderim të furnizimit me barna për pacientët

11:12 | 17 Mars 2018
Arbresh.info

Ministria e Shëndetësisë duke u bazuar në të dhënat e fundit që ka marrë nga Barnatorja Qendrore e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ka  njoftuar se furnizimi me barna dhe material shpenzues tashmë ka nisur të përmirësohet dhe qytetarët ngadalë do të fillojnë t’i vërejnë ndryshimet.

MSh-ja ka shpallur 300 artikuj për tenderim nga Lista Esenciale e Barnave, materialit shpenzues dhe citostatikëve, me kontraktimin e të cilave do të krijohet një furnizim stabil për nevojat e qytetarëve, derisa  aktualisht furnizimi me barna të Listës Esenciale është ngritur mbi 65 për qind.

Në kuadër të angazhimeve për furnizim më të qëndrushëm me barna, MSh informon opinionin se i ka trajtuar me prioritet nevojat e pacientëve me kancer, të cilat njëkohësisht kërkojnë një reagim më të shpejtë dhe kanë kosto më të madhe financiare.

Në këtë drejtim, MSh-ja informon se furnizimi me citostatikë tani është rreth 90 për qind, me çka mbulohen pothuajse të gjitha nevojat e qytetarëve të cilët sfidohen çdo ditë nga këto sëmundje.

“Furnizimi i qëndrueshëm është siguruar edhe në Kardiokirurgji dhe Kardiologji Invazive, ku pas lëshimit të shërbimit 24 orësh është rritur vëllimi i punës dhe shpenzimet e materialeve.  Për këto shërbime janë blerë stenta për një periudhë të konsiderueshme kohore  dhe qytetarët tanë të cilët do të kenë nevojë për to, nuk do të ketë nevojë të kërkojnë trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, duke shpenzuar mijëra euro”, thuhet në komunikatë.

Edhe sa i përket materialit shpenzues tashmë situata është drejt përmirësimit. Vetëm gjatë javës së kaluar, QKUK-ja është furnizuar me mbi 40 mijë mantela për salla të operacioneve.

Në të gjitha këto zhvillime, MSh tashmë ka krijuar edhe një sistem, i cili do të rregullojë njëherë e përgjithmonë furnizimin me barna.

Ky sistem i monitorimit të stoqeve do të njoftojë vazhdimisht kur një kontratë për një produkt të caktuar do të jetë 4 muaj afër skadimit, që do t’i mundësojë MSh kohë të mjaftueshme për t’i lidhur kontratat e reja.

MSh-ja dëshiron të qytetarët se po punohet çdo ditë që të ketë furnizim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm me barna, material shpenzues dhe citostatikë./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme