Mospirja e ujit gjatë orarit të punës shkakton stres, mungesë produktiviteti dhe përqëndrimi

06:56 | 25 Mars 2017
Arbresh.info

Në fakt, pa ujë, nuk do të mund të rezistonim më shumë se disa ditë. Dhe për asnjë lëndë tjetër ushqyese, nuk kemi nevojë në sasi aq të madhe, sa kemi për ujin.

Ai siguron dhe mbështet mbarëvajtjen e reaksioneve kimike jetësore dhe funksioneve të organizmit tonë, prandaj hidratimi i duhur është thelbësor. Ne e sigurojmë sasinë e duhur të ujit nga këto burime: nga uji i pijshëm apo lëngjet e tjera në masën 70-80 % dhe nga ushqimet në masën 20-30%. Hidratimi garanton funksionimin e rregullt të qelizave, trurit, sistemit tretës, zemrës, veshkave, muskujve, etj. Ai është i domosdoshëm dhe përgjegjës për rregullimin e tensionit të gjakut, temperaturës trupore dhe tretjes.

Shumë faktorë, si puna e shumtë, stresi, ajri i thatë (si pasojë e ajrit të kondicionuar) mund të shkaktojnë dehidratim edhe pse nuk jemi duke djersitur. Dehidratimi mund t’i ndodhë njësoj edhe një punonjësi që kryen punë fizike edhe një punonjësi zyre. Puna e gjatë në ambientet me ajër të kondicionuar, ku niveli i ujit (lagështisë) në ajër është shumë i ulët, është faktor kryesor që çon në dehidratim. Dhe ky i fundit, duke cenuar ndjeshëm funksionimin e rregullt të organizmit, mund të shkaktojë që nga ulja e produktivitetit e deri tek sjelljet jashtë moralit apo etikës. Prandaj, sasia e duhur e ujit të marrë, qoftë si pije, qoftë nëpërmjet ushqimit, është shumë e rëndësishme.

Të gjitha ushqimet përmbajnë ujë, që nga frutat e perimet e deri tek makaronat e orizi. Gjithsesi, gatimet me bazë uji, siç janë supat (apo edhe akulloret) janë më të përshtatshmet për të siguruar sasinë e nevojshme të organizmit për ujë.

Momente të ndryshme të ditës, faza të ndryshme të jetës, gjendjet e caktuara shëndetësore dhe kushtet klimaterike, ndikojnë ndjeshëm në nevojat tona për hidratim. Prandaj, këto të fundit, duhet gjithmonë t’ia përshtatim gjendjes në të cilën ndodhemi.

Kështu, sasia e ujit të marrë, duhet shtuar gjatë:

▷ Shtatzënisë (të paktën me 300 ml)

▷ Ushqyerjes me gji (të paktën me 700 ml)

▷ Temperaturës së lartë, diarresë

▷ Aktivitetit fizik

▷ Ditëve të nxehta

▷ Ditëve shumë të ftohta

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme