Ministria e Shëndetësisë rritë buxhetin për furnizim me barna dhe material shpenzues

08:08 | 23 Shkurt 2020
Arbresh.info

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës thotë se bazuar nga raporti i Shërbimit Farmaceutik në QKUK, furnizimi me barna ka qenë i qëndrueshëm për dallim nga vitet paraprake.

Sa i përket mungesave të barnave esenciale, SHSKUK në një përgjigje për arbresh.info tregon se mungesat kanë qenë për produktet furnizimet e të cilave kanë dështuar për shkak të procedurave të prokurimit.

Sipas tyre produktet të cilat nuk kanë pasur kontratë për furnizim janë në listën e barnave që mungojnë.

“Këtë vit do të fillohet furnizimi konform Listës se Re Esenciale. Mungesat kanë qenë për produktet furnizimet e te cilave kanë dështuar për shkak të procedurave të prokurimit.

Pra produktet të cilat nuk kanë pasur kontratë për furnizim janë në listën e barnave që mungojnë. Për disa artikuj vital janë inicuar procedurat për furnizim emergjent”, thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së për arbresh.info.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për arbresh.info thotë se ka aprovuar vjet Listën e re të Barnave Esenciale (pjesa e produkteve mjekësore), ku edhe ka treguar se cilën pjesë e mbulon kjo ministri dhe cilën SHSKUK.

“Nga kjo Listë, Ministria ka përgjegjësi për furnizimin me barna të QKMF-ve (Komunat-shërbimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor) dhe disa programe specifike si barnat për HIV/AIDS, tuberkuloz, sklerozë multiple, vaksinat dhe materialin për hemodializë. Pjesën tjetër të furnizimeve, p.sh. për SHSKUK-në dhe spitalet e përgjithshme si pjesë të SHSKUK-se, e bën SHSKUK-ja”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo ministri tutje ka thënë se MSH-ja dhe SHSKUK-ja do të punojnë që Lista të mbulohet në mënyrë sa më adekuate.

Sa i përket buxhetit për furnizim të Listës së Barnave Esenciale si dhe material shpenzues, Ministria e Shëndetësisë thotë se buxheti për vitin 2020 ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës por që pritet të ketë rritje.

“Buxheti për vitin 2020 nuk është miratuar ende në Kuvendin e Kosovës. Vjet buxheti për barna dhe material shpenzues për tre nivelet ka qene 34.9 milionë euro. Sivjet pritet të ketë rritje”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për arbresh.info./arbresh.info/R.Rexhepi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme