Ky është shkaktari kryesor i sëmundjeve sot në botë

22:12 | 4 Prill 2017
Arbresh.info

Nëse jeni ndierë ndonjëherë sikur vetëm ju jeni në depresion, studimi i ri vërteton që e keni shumë gabim.

Shkaktari kryesor i sëmundjeve ose paaftësisë nuk është kanceri apo sëmundjet e zemrës: është depresioni. Një raport i ri nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) zbulon se mbi 300 milionë njerëz në të gjithë botën vuajnë nga depresioni, dhe vetëm gjysma e tyre po marrin trajtimin që iu duhet.

OBSH i ka bërë të ditura këto shifra pak ditë para Ditës Botërore të Shëndetit, më 7 prill, si pjesë e fushatës 1-vjeçare “Depresioni, le të flasim”. Sipas OBSH-së, numri i njerëzve që vuajnë nga depresioni është rritur me 18% nga viti 2005 në vitin 2015.

Organizata po përpiqet të ndërgjegjësojë më shumë njerëz në lidhje me një temë që shumë prej tyre kanë frikë apo të flasin në publik për veten e tyre.

Drejtuesi i departamentit të shëndetit mendor tek OBSH, Shekhar Saxena, tregon se ideja e turpit për të folur rreth çrregullimeve mendore është arsyeja përse fushata është titulluar “depresioni: le të flasim”.

“Për dikë që vuan nga depresioni, bashkëbisedimi me një person të besueshëm është shpesh hapi i parë drejt trajtimit dhe shërimit”.

OBSH u bën thirrje shteteve në të gjithë botën që të investojnë më shumë në trajtimet për shëndetin mendor dhe të ofrojnë më shumë mbështetje për njerëzit që vuajnë nga depresioni.

“Këto shifra të reja janë një thirrje alarmi për të gjitha shtetet që të rimendojnë objektivat e tyre lidhur me shëndetin mendor dhe ta trajtojnë atë me urgjencën që meriton”, u shpreh Margaret Chan, drejtorja e përgjithshme e OBSH-së, gjatë një deklarate për shtyp.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme