Trajtimi paliativ është kujdes gjithëpërfshirës, mjekësor, psikologjik, social dhe shpirtëror, për pacientët me sëmundje të pashërueshme, i cili po mungon në vendin tonë.
Qëllimi i këtij kujdesi paliativ është lehtësimi i dhembjeve dhe simptomave tjera të pakëndshme të sëmundjes së pacientit, i cili është në fazën e fundit të sëmundjes së pashërueshme me qëllim që ai të ketë një jetë më kualitative.
Lidhur me kujdesin paliativ, qytetarët e Kosovës nuk janë të informuar. Në një anketë të realizuar nga KosovaPress, vetëm një qytetare e ka ditur se çfarë është kujdesi paliativ, ndërsa për të tjerët ishte fjalë e panjohur.
Hasan Emerllahu, qytetar nga Prishtina, nuk kishte informata se çfarë është kujdesi paliativ, madje ai tha se për herë të parë po e dëgjon këtë fjalë.
“Valla kujdesi paliativ tash e mësova, paliativ nuk e kam ditur”, tha ai.
Kurse, për Hilmi Preniqi, i cili nuk ka dëgjuar ndonjëherë për këtë shërbim, fjala paliativ nuk është fjalë shqipe.
“Për herë të parë po dëgjoj për këtë fjalë. Folna shqip motra jem, shqip folna, mos na i merrni fjalët angleze, turke na i keni shti krejt në fjalorin tonë”, tha ai.
As qytetarja nga Prishtina, Shukrije Burrniku, nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për shërbimin paliativ.
“Jo, jo, nuk paskam informata”, tha ajo.
Gjithashtu, edhe qytetari Osman Bllaca, nuk ka dëgjuar ndonjëherë për shërbimin paliativ, por, ai tha se ka dëgjuar që për personat me sëmundje të kancerit jepen ndihma të ndryshme përmes organizimeve, ndërsa për kujdes falas ai nuk ka dëgjuar.
“Jo nuk paskëna dëgjuar, vetëm kam dëgjuar që ndihma të ndryshme, organizime të ndryshme, qoftë ndoshta edhe prej ministrisë, edhe prej njerëzve humanitarë, bamirës, por falas nuk kam dëgjuar”, tha ai.
Kurse, qytetari Shaban Gashi, i cili nuk kishte dëgjuar ndonjëherë për këtë kujdes, tha se ka dëgjuar vetëm që në spital po iu ndihmonë.
“Jo për nder nuk kam dëgjuar kurrë as nuk e di, nuk kam dëgjuar. Kam dëgjuar që në spital po iu ndihmojnë”, tha ai.
Përmes rrjeteve sociale studentja, Erta Nishefci, ishte njoftuar lidhur me kujdesin paliativ. Po ashtu, ajo tha se ka lexuar që ky shërbim i kujdesit paliativ do të fillojë së shpejti në Prishtinë.
“Kujdesi paliativ është kujdes që iu ofrohet personave që janë të sëmurë me sëmundje të kancerit, kam lexuar kohëve të fundit për këtë shërbim”, tha ajo.
Socilogu Ragip Fetahu thotë se kujdesi paliativ është i shumë i nevojshëm për shoqërinë kosovare, duke e pasur parasysh numrin e madh të njerëzve të prekur nga sëmundjet e rënda, siç është edhe kanceri.
“Kujdesi paliativ është shumë i nevojshëm për shoqërinë tonë, siç e dimë ne kemi një numër të madh të njerëzve, të individëve të prekur nga sëmundjet e rënda siç është kanceri dhe sëmundje të tjera të cilat ua pamundësojnë lëvizshmërinë dhe krijimin e jetës normale. Kjo duhet të rregullohet edhe në mënyrë institucionale me rregulla me ligje dhe norma. Ne e dimë të gjithë që kujdesi shëndetësor në Kosovë nuk është në nivel të duhur, mirëpo kjo kategori shoqërore ka nevojë të patjetërsueshme nga institucionet, nga njerëzit profesional siç janë infermierët, siç janë punonjësit social, siç janë psikologët. Sepse përveç sëmundjes të cilën ata bartin në kurrizin e tyre ata kanë probleme të ndryshme edhe psikologjike se mënyra e tyre e jetesës është aq e rëndë saqë atyre ua pamundëson një farë forme jetën në të gjitha sektorët e jetës”, tha ai.
Fetahu tha se Kosova duhet patjetër ta ketë një kujdes të tillë.
“Sikurse edhe shtetet e tjera rajonale edhe shtetet e tjera në perëndim, patjetër se Kosova duhet të ketë një kujdes të tillë. Mirëpo, duhet ta kemi parasysh që një rol të rëndësishëm tek ne e luan edhe familja, siç e dimë familja tek ne është shumë e fortë dhe ata bëjnë një kujdes të jashtëzakonshëm për këtë kategori të njerëzve. Por, e veçanta është se kjo duhet të bëhet në mënyrë institucionale, të rregullohet në mënyrë institucionale dhe me rregullativa të mirëfillta ligjore që të futet në kuadër të kujdesit shëndetësor për këtë kategori”, tha ai.
Ndërsa, zyra për media në Ministrinë e Shëndetësisë në përgjigjet e kthyera përmes emailit, ka bërë të ditur se kujdesi paliativ në Kosovë për momentin ofrohet në formë të shërbimit ambulantor në Klinikën e Onkologjisë.
“Kujdesi paliativ në Kosovë për momentin ofrohet në formë të shërbimit ambulantor (ditor) në Klinikën e Onkologjisë dhe në spitale e qendrat e tjera mjekësore ku trajtohen sëmundjet malinje. Duke qenë që si hallkë e trajtimit të sëmundjeve malinje ka një rëndësi shumë të madhe, sidomos për të sëmurët në fazat terminale të sëmundjes, Ministria e Shëndetësisë do të mbështes në kuadër të projektit rreth 50 milionësh për investime në QKUK dhe spitalet e përgjithshme edhe kërkesat e profesionistëve që kanë të bëjnë me fuqizimin e kujdesit paliativ, krahas shërbimeve të kimioterapisë, radioterapisë dhe terapisë invazive që gjithashtu tani ofrohen në Onkologji”, thuhet në përgjigje nga zyra për media e Ministrisë së Shëndetësisë.
Megjithatë, Ministria nuk deshi të flas për faktin që Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk ka hospis, vend ku familjarët i dërgojnë të afërmit e tyre në prag të vdekjes për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor.
Përndryshe, në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kanë njoftuar se vetëm për tre muaj të këtij viti kanë pasur 378 raste të reja të diagnostikuara me kancer, që i bie 100% raste më shumë, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Pas sulmit në Magdeburg seancë e posaçme në Bundestag
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...