Të paktën 700 persona në Kosovë janë të prekur nga tuberkulozi, duke e bërë vendin më të prekur nga kjo sëmundje në mesin e shteteve të rajonit dhe në Evropë.
Institucionet shëndetësore në Kosovë thonë se zona më e prekur me tuberkuloz është Prishtina, për shkak të numrit të madh të banorëve, ndërkohë që sëmundja është shtrirë edhe në Komunën e Podujevës, Lipjanit, në Ferizaj dhe Kaçanik, shkruan rel.
Profesionistët shëndetësorë thonë se veçanërisht mosha e të prekurve me tuberkuloz është shqetësuese sepse ajo sillet ndërmjet 14 deri në 34 vjeç.
Ata thonë se shkaktarët që çojnë tek sëmundja e tuberkulozit ndërlidhen me mjedisin, zhvillimin ekonomik dhe sidomos me kushtet dhe rrethanat e jetesës në Kosovë.
Rukije Mehmeti, pulmologe, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se është shqetësues numri i madh i të prekurve me tuberkuloz.
“Kosova i takon vendeve mesatarisht të zhvilluara, dhe tuberkulozi paraqet problem. E keqja është se po prek moshën 15 deri në 34 vjeç dhe po paraqet problem madhor në vend. Edhe më tutje kemi donacione, por që po shkurtohen çdo vjet fondet, megjithëse Fondi Global prej vitesh e ndihmon luftimin e tuberkulozit.”, thotë Mehmeti.
Në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, thonë se po përcillet vazhdimisht situata epidemiologjike, dhe tuberkulozi është vënë me theks të veçantë e prioritet të lartë.
Sipas drejtuesve të Institutit, po bëhen përpjekje për ta mbajtur nën kontroll sëmundjen dhe për ta luftuar atë.
Në anën tjetër, Majlinda Gjocaj, menaxhere kombëtare për tuberkuloz, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka bërë të ditur se ndonëse numri i të prekurve me sëmundjen e tuberkulozit ndër vite po shënon rënie, përsëri numri i të prekurve mbetet i lartë, krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropën.
“Tuberkulozi ngjitet përmes rrugëve të ajrit dhe është vështirë të eliminohet. Ne kemi arritur ta ulim numrin e të prekurve meqë në vitin 2016 kanë qenë 60 raste më pak se një vit më parë, kur numri i të prekurve ishte 717 raste. Janë 40 pacientë në 100 mijë banorë, e që është numër i lartë krahasuar me vendet e rajonit dhe Evropës. Ministria e Shëndetësisë e përkrah programin e Fondit Global për tuberkulozin me barnat e linjës së parë. Ne kemi nisur blerjen e tyre”, tha Gjocaj.
Kohë më parë, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Imet Rrahmani, pati thënë se patologjia e sëmundjes së tuberkulozit në Kosovë në krahasim me rajonin ende është shumë e shprehur, por qe zotuar për përkrahjen e punës së profesionistëve shëndetësorë dhe blerjen e barnave të nevojshme.
Lëkundje të forta tërmeti në Turqi
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
Çairi i Shkupit organizon turne për nderë të Pavarësisë së S...
Konjufca mori pjesë në ceremoninë e shënimit të 80-vjetorit ...
Memli Krasniqi merr një fanellë dhuratë nga Granit Xhaka
Stërvitja e përbashkët mes PK-së, EULEX-it dhe KFOR-it, Bard...