Një pacient australian, i cili u trondit kur u diagnostikua me glaukomë rreth moshës 40 vjeç, po inkurajon të tjerët që t’i kontrollojnë sytë rregullisht edhe nëse mendojnë se nuk kanë probleme me shikimin. Glaukoma dëmton nervin optik në sy, mund të dobësojë shikimin dhe të shkaktojë verbëri. Organizata “Glaucoma Australia” është gjithashtu duke bërë fushatë për të rritur ndërgjegjësimin për sëmundjen.
Shannon Davis ishte 43 vjeç kur bëri vizitën e parë tek mjeku i syve. Në atë kohë ai mendonte se sytë e tij ishin në gjendje shumë të mirë.
“Nuk kam nevojë për syze, kështu që sytë e mi duhet të jenë të shëndetshëm. Si mund të mos jenë të shëndetshëm? Janë në gjendje shumë të mirë’. Nuk kaloi shumë kohë në test, kur mjekja më kërkoi t’i telefonoja bashkëshortes, që edhe ajo të informohej mbi gjendjen time”.
Davis, babai i dy fëmijëve, u trondit kur mësoi se ishte me glaukomë të fazës së fundit në të dy sytë e tij. Pra, ai ishte ligjërisht i verbër.
“Isha krejtësisht i tronditur sepse unë mund ta shihja diagnozën, kur ajo po më tregonte shkallën e dëmit të syve”, thotë zoti Davis.
Një person me glaukoma gradualisht pëson humbje të qelizave nervore të syrit. Kjo sëmundje është një nga shkaqet kryesore të verbërisë së pakthyeshme në botë.
Nuk ka kurë për sëmundjen dhe testet nuk mund të parashikojnë se kush ka të ngjarë të sëmuret.
“Shpesh personat me glaukoma, për herë të parë e kuptojnë se kanë probleme me sytë kur bëjnë rinovimin e patentës së shoferit sepse gjatë testit ata nuk arrijnë të shohin sinjalet anësore”, shpjegon okulistja Noor Ali.
Nëpërmjet trajtimeve për uljen e shtypjes së lartë në sy, humbja e shikimit mund të ngadalësohet nëse diagnostikimi i glaukomës bëhet në fazat e hershme të saj.
Me ndihmën e këtyre masave, zoti Davis ka ruajtur aftësitë e mbetura të shikimit.
“Syri i majtë është dëmtuar mjaft keq, në shkallën ku nuk është i mundur rikthimi i shikimit. Pra, në të vërtetë, pjesa qendrore e syrit të djathë po e bën të gjithë punën”.
Tani, zoti Davis po u bën thirrje australianëve të të gjitha moshave që të kontrollojnë sytë. Edhe organizata “Glaucoma Australia” po bën një fushatë për ndërgjegjësimin e njerëzve për sëmundjen.
“Shmangni pasoja e një diagnoze të rëndë. Shkoni dhe bëni testin e syve, sepse mund t’ju shpëtojë shikimin”, thotë presidentja e Organizatës “Glaucoma Australia”, Maree O’Brien./voa/
Rovena, Leo, Kevin dhe Gjesti diskutojnë për situatën e Dian...
Komuna kërkon intensifikimin e punimeve në vazhdimin e Rrugë...
FSHF-ja do ta nderojë 14-vjeçarin që u nda nga jeta në Shqip...
Çfarë parashikon doktrina e re bërthamore e Rusisë?
Edi dyshon: Kur vjen motra me të thanë për babë nuk është mi...
Lirohet pa akuza gruaja iraniane që u zhvesh në shenjë prote...