Këto janë ushqimet më të pasura me kalcium

07:01 | 1 Maj 2017
Arbresh.info

Ushqimet e pasura me kalcium janë thelbësore për shëndetin tonë. Më mirë akoma nëse këto ushqime kanë në përbërje kalciumin e kombinuar me magnez apo me hekur.

Produktet që janë të pasura me kalcium janë shumë të dobishme për shëndetin e mirë të dhëmbëve dhe kockave. Sasia e nevojshme e kalciumit për një të rritur në ditë është 1.000 – 1.200 mg. Adoleshentët janë kategoria që kanë më shumë nevojë për ushqime të pasura me kalcium. Gjithashtu, roli i kalciumit në rastet e të sëmurëve me osteoporozë është primar, pasi ndikon pozitivisht nëse kombinohet me vitaminën D. Ja një listë e ushqimeve që janë të pasura me kalcium.

Qumështi dhe nënproduktet e tij: Qumështi dhe të gjitha produktet që bëhen prej tij përmbajnë një sasi të konsiderueshme kalciumi. Në një gotë qumësht lope gjenden rreth 300 mg kalcium. Sasia e kalciumit është e njëjtë në të gjitha variantet e qumështit: i skremuar, pjesërisht i skremuar apo i paprekur. Te kosi, sasia e kalciumit është 150 mg për 100 gram, ndërsa tek djathërat kjo sasi ndryshon në varësi të llojeve.

Vezët: E verdha e vezës përmban shumë kalcium. Por sasia më e madhe e kalciumit ndodhet te lëvozhga e vezës, e cila përbëhet e tëra prej këtij elementi. Në mënyrë që organizmi ynë të përthithë të gjithë kalciumin e lëvozhgës së vezës, kjo e fundit duhet bluar dhe të konsumohet, megjithëse shija nuk është e këndshme.

Peshku dhe frutat e detit: Disa lloje peshqish si sardelet apo salmoni përmbajnë sasi të mëdha kalciumi. Gjithashtu, ky element gjendet në sasi të madhe edhe te frutat e detit si molusqet, midhjet dhe karkalecat.

Frutat e thata: Janë burim i vërtetë i kalciumit. Sasia e pranishme në to mund të jetë e barabartë me atë që gjendet te qumështi. Për këtë arsye, frutat e thata si bajamet, arrat, lajthitë dhe fistiqet rekomandohen nga mjekët për të sëmurët me osteoporozë.

Perimet: Mes perimeve me përmbajtje të lartë kalciumi, veçohet soja. Për më tepër, ajo përmban edhe daidzeinën, një element që parandalon dekalcifikimin e kockave. Sasia e kalciumit në farat e sojës është 102 mg për 100 gram. Spinaqi, brokoli, lakra, rrepa janë perime që kanë përbërje të lartë të kalciumit vegjetarian. Në rastin e spinaqit, sasia e kalciumit varet nga mënyra se si është gatuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme