Ekspertët për sterilitet tërheqin vërejtjen për disa faktorë, të cilët mund ta bllokojnë ngjizjen.
Shtatzënia ndodh rastësisht ose me plan, por nëse tashmë për një kohë të gjatë nuk jeni duke ia dalë që të mbeteni shtatzënë, edhe pse jeni të shëndetshme, ndoshta shkaktarë të kësaj mund të jenë ushqimi jo i duhur, jeta e çrregullt, stresi dhe duhani, transmeton Telegrafi.
Dietat rigoroze, variacionet në peshë, si dhe mbi pesha ose nënpesha e tepërt mund të sjellin deri te çekuilibrimi i funksionimit të hormoneve. Alkooli është njëri prej shkaktarëve më të shpeshtë të impotencës së meshkujve, ndërsa do të duhej që ta shmangin edhe femrat të cilat përpiqen që të mbesin shtatzënë.
Studimet kanë zbuluar se femrat që konsumojnë duhan mbesin më vështirë shtatzënë, ndërsa nikotina mund të shkaktojë edhe komplikime gjatë shtatzënisë. Dihet që fëmijët e duhanpirësve kanë sistem më të dobët të imunitetit dhe janë më të prirë ndaj sëmundjeve sesa fëmijët e prindërve që nuk konsumojnë duhan.
Konsumimi i duhanit në masë të madhe e rrezikon edhe fertilitetin e meshkujve. Disa kafe në ditë kanë ndikim negativ sa edhe duhani dhe alkooli, sepse kafeina mund të ndikojë në absorbimin e kalciumit dhe hekurit, si dhe të çojë deri te problemet me tretje, nervozizëm dhe pagjumësi.
Përveç shmangies së gjërave negative, është me rëndësi që femrat të cilat duan që të mbeten shtatzënë të jenë edhe në formë të mirë, partnerët do të duhej që të praktikojnë një aktivitet mesatar fizik së paku tri deri në katër herë në javë në kohëzgjatje prej 30 minutash.
Para dhe gjatë kohës së shtatzënisë është me rëndësi që femra të konsumojë ushqim të shëndetshëm dhe të ekuilibruar, sepse vetëm ashtu do të mund të ketë funksionim të duhur të hormoneve. Duhet të konsumohen perime të freskëta të pasura me minerale dhe vitamina. Nëse nuk keni të freskëta, atëherë mund të konsumohen edhe perimet e ngrira.
Është e rëndësishme që për çdo ditë të konsumoni edhe produkte të qumështit, jo vetëm qumësht dhe jogurt, por edhe gjalpë, djathë, ajkë, si dhe të konsumoni bukë-të mjaftueshme, sepse është e pasur me vitaminën B.
Ekspertët rekomandojnë që të hani edhe pemë me lëvozhga (arra dhe bajame), ndërsa këshillojnë që të reduktohet konsumimi i sheqerit, kripës, vajit dhe produkteve të mishit.
Nga shtesat vitaminoze, femrave të cilat planifikojnë shtatzëninë u rekomandohen tabletat me acid folik, si dhe ushqimet e pasura me të (mëlçitë, bishtajat, vezët, mishi i peshkut, sallata e gjelbër, arrat, bizelet dhe farat).