Më të rrezikuar nga i nxehti janë pacientët që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit
Me ardhjen e verës, Instituti i Shëndetit Publik ka nisur një fushatë ndërgjegjësimi për rreziqet e motit të nxehtë, sidomos për sa iu përket kategorive të njerëzve në nevojë, si të moshuarit dhe fëmijët. Ky institucion kërkon që të mbështeten rregullat e fushatës me këshilla parandaluese për të gjithë popullatën, sidomos për fëmijët, adoleshentët dhe të moshuarit. Mjekët e familjes duhet të kenë parasysh se simptomat e të nxehtit të tepërt janë ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi. I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit.
Shenjat
Shenjat paralajmëruese që duhet të mbahen parasysh janë: zbehja, marramendja, të vjellat, pulsi i dobët, temperatura e ngritur. Si masë paraprake është mirë të errësohen dhomat dhe hapësirat e përbashkëta, të mbahet një temperaturë me ajër të kondicionuar jo më poshtë se 25° C, të kontrollohet hidratimi, tensioni dhe temperatura e të shtruarve të moshuar.
Rreziqet nga temperaturat e larta
Temperaturat e larta në verë kanë ndikim negativ në organizmin e fëmijës. Fëmijët janë të ndjeshëm ndaj efekteve të këtyre temperaturave sepse metabolizmi i tyre ndryshon nga metabolizmi i të rriturve, qendra e rregullimit të temperaturës është e papjekur, aftësia për djersitje është më e paktë, masa e trupit është e vogël, po ashtu edhe vëllimi i gjakut. Gjithashtu, ata mbështeten te të tjerët për të rregulluar temperaturën e mjedisit të tyre apo dhe për të siguruar marrjen e lëngjeve të nevojshme.
Te të rinjtë
Disa rregulla të cilët me siguri do të ndihmojnë për të mbrojtur shëndetin e të rinjve; mos u largoni nga shtëpia gjatë orëve të nxehta dhe mbroni dritaret nga dielli, pini një deri në dy litra ujë në ditë, lëngje frutash etj., konsumoni ushqime të lehta të ndara në porcione, konsumoni fruta të bollshme dhe perime të freskëta, freskoni dhomat me ventilatorë apo kondicionerë, me temperaturë jo poshtë 25° C. Ajrosni makinën që është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe vënë kondicioner para se të lëvizni me të. Përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli dhe mos i lini fëmijët vetëm në makina. Bëni banja dhe dushe, por jo nën temperaturat 25° C. Ruani ilaçet nga burimet e nxehtësisë dhe rrezet e drejtpërdrejta të diellit. Ruani në frigorifer të gjitha ilaçet që kërkojnë temperatura jo më të larta se 25-30° C, dhe të gjitha shishet e shurupeve apo ilaçet me pika, të cilat sapo janë hapur. Fëmijëve, ashtu si të rriturve, dielli u sjell përfitime të rëndësishme për humorin, sistemin imunitar, kockat dhe lëkurën. Ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm mund të ketë pasoja negative të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë fillimin e tumoreve, përfshirë melanomat.
Për të moshuarit këshillohet:
-Mjediset e brendshme të banesës të mbahen në një temperaturë konstante rreth 26° C;
-Të moshuarit të mos dalin nga shtëpia nga ora 11-18;
-Gjatë gjithë kohës të konsumojnë lëngje jo shumë të ftohta;
-Të vishen me veshje me ngjyra të hapura prej lini ose pambuku.
Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara janë fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike jashtë.
Ndihmë e parë
Në rast se dikush ndihet keq nga i nxehti dhe është në pritje të ndihmës së kualifikuar është mirë që personi të vendoset në një vend të freskët, t’i ftohet trupi duke e mbështjellë me një çarçaf të lagur ose duke e spërkatur me ujë, t’i jepet të pijë lëngje si dhe të mos i jepet asnjë ilaç për uljen e temperaturës.
Çfarë shkakton vapa te fëmijët
-Irritim të lëkurës nga nxehtësia, puçrrat e vapës. Puçrra të vogla të kuqe shfaqen në pjesët ku trupi është më i nxehtë, sidomos në qafë, fytyrë, bërryla dhe poshtë gjunjëve.
-Çrregullime diarreike, diarreja karakterizohet nga të dala të ujshme e të shpeshta të fëmijës (6-7 herë në ditë te foshnjat). Diarreja është më e shpeshtë te fëmijët nga 6 muajsh deri në 2 vjeç.
-Të vjella, diarreja mund të shoqërohet edhe me të vjella, e cila është shenjë e infeksioneve të shkaktuara nga viruset apo bakteret. Infeksionet nga viruset apo bakteret shfaqen më shumë në muajt e verës dhe shkaktohen nga temperaturat e larta apo nga ushqimet e infektuara.
-Herpes simplex është infeksion i lëkurës i shkaktuar nga virusi me të njëjtin emër, shfaqet në formën e plagës dhe kalon nga prindërit te fëmija me anë të puthjes. Lëkura skuqet dhe shfaqen puçrra të vogla rreth buzës dhe poshtë hundës, të cilat bashkohen dhe formojnë plagë. Fëmija duhet çuar te mjeku dhe nuk duhet lejuar të prekë fytyrën.
-Goditje nga dielli si pasojë e ekspozimit të fëmijës në rrezet shumë të forta të diellit. Fëmija djersin, humbet lëngjet dhe dehidrohet.
Mbrojtja e fëmijëve nga dielli
Foshnjat nga 0-6 muaj/ Foshnjat nga 0-6 muaj nuk duhet të mbahen apo të ekspozohen në diell. Lëkura e tyre është shumë e ndjeshme nga dielli dhe ka pak melanomë, pigmenti që i jep ngjyrë lëkurës, flokëve dhe syve, dhe që siguron një mbrojtje nga dielli. Prandaj, foshnjat janë veçanërisht të ndjeshme ndaj efekteve të dëmshme të diellit.
-Përdorni mburojat e lëvizshme në dritaren e makinës për të mbrojtur fëmijët nga rrezet që vijnë përmes dritares.
-Shëtitini me karrocë herët në mëngjes përpara orës 10 dhe pas orës 17, duke përdorur mbrojtësen e diellit që kanë karrocat.
-Vishini me rroba të lehta pambuku të cilat mbulojnë krahët dhe këmbët.
-Zgjidhni një kapelë të gjerë që t’i mbrojë fëmijës fytyrën, qafën dhe veshët.
Foshnjat nga 6-12 muaj /Foshnjave apo bebeve në këtë moshë duhet t’u përdoret krem mbrojtës ndaj diellit.
-Mbrojtja është e njëjtë si te foshnjat e vogla, vetëm tani duhet të përdoret edhe kremi i diellit.
-Përdoren kremra me faktor mbrojtës mbi 20, dhe lyhen pjesët e zbuluara të fëmijës.
-Shumë e rëndësishme është që kremi t’i vihet foshnjës rreth 30 minuta para se të dalë jashtë, t’i rivihet prapë çdo dy orë, pas larjeve në det apo nëse është djersitur shumë.
-Fëmijët e vegjël 1 vjeç deri në 6 vjeç/ Sigurohuni që fëmija të rrijë në hije nga ora 10-17. Kontrolloni mjedisin e jashtëm ku fëmija juaj luan për t’u siguruar që ka hije të mjaftueshme.
-Sigurohuni që fëmija të jetë i veshur me rroba të lehta pambuku, të lyhet me krem mbrojtës me faktor mbrojtës mbi 20 që të jetë rezistentë ndaj ujit.
-Fëmijët duhet të mbajnë kapelë dhe syze dielli. Kapelja duhet të jetë e gjerë që t’i mbrojë qafën, fytyrën dhe veshët.
Kujdes!
-Mos dilni në orët e nxehta;
-Vishni rroba të lehta;
-Pini 2 litra ujë në ditë dhe hani sa më shumë fruta.
32-vjeçari intervistohet nga policia për gjuajtje me armë zj...
“Po të lë anash”, Driloni e Anisa flasin për lojë
Shkup, arrestime e reagime pas një incidenti me flamurin maq...
UNDP i dhuron policisë pajisje pune për kontroll në vijën e ...
Anisa-Gjestit: Ti je qeni i Xhenetës
Ismet Bahtijarit i vazhdohet paraburgimi nga Specialja