Kanceri i fshikëzës së urinës është një lloj sëmundje që fillon në fshikëzën e urinës – një organ në formë tullumbace në pjesën e legenit, që mban urinën.
Ky lloj kanceri shfaqet fillimisht në qelizat që rrethojnë pjesën e brendshme të fshikëzës së urinës. Ai zakonisht prek moshat e treta, megjithatë ekziston rreziku edhe për moshat më të reja. Pjesa më e madhe e rasteve me kancer të fshikëzës së urinës diagnostikohen në faza të hershme – kur mund të trajtohen lehtësisht. Gjithsesi, ekzistojnë gjasat e ripërsëritjes së kancerit edhe nëse ai diagnostikohet dhe trajtohet që në fazat e para, prandaj mbijetuesit e këtij lloji kanceri i nënshtrohen testeve për disa vite radhazi pas trajtimit për të kontrolluar për rishfaqje të kancerit. Shenjat dhe simptomat e kancerit të fshikëzës janë: Gjak në urinë – e kuqe e zjarrtë ose në ngjyrën Coca-Cola. Ka raste kur urina duket normale dhe gjaku mund të zbulohet vetëm nëpërmjet analizave mikroskopike të urinës. Urinim të shpeshtë; Dhimbje gjatë urinimit
Dhimbje të shpinës; Dhimbje në pjesën e legenit. Nuk është e përcaktuar saktë se çfarë e shkakton kancerin e fshikëzës. Ai është lidhur me përdorimin e duhanit, një infeksion parazitar, ekspozimi ndaj rrezatimit dhe substancave të ndryshme kimike ej. Kanceri i fshikëzës zhvillohet kur qelizat në këtë organ fillojnë të rriten në mënyrë jonormale. Këto qeliza më pas formojnë masën tumorale. Lloje të ndryshme të qelizave në fshikëzën e urinës mund të bëhen kancerogjene. Lloji i qelizës së fshikëzës ku shfaqet edhe kanceri përcakton llojin e këtij kanceri, në bazë të të cilit përcaktohet edhe trajtimi.
Tri llojet e kancerit të fshikëzës janë: Karcinoma me qeliza sipërfaqësore – shfaqet tek qelizat që rrethojnë pjesën e brendshme të fshikëzës. Qelizat sipërfaqësore zgjerohen kur fshikëza është plotë dhe tkurren pasi boshatiset. Të njëjtat qeliza rrethojnë pjesën e brendshme të uretrës, prandaj mund të formohen tumore edhe në këtë pjesë. Karcinoma e qelizës tranzicionale është lloji më i zakonshëm i kancerit të fshikëzës. Karcinoma me qeliza skuamoze – Këto qeliza shfaqen në fshikëz pas një infeksioni ose acarimi. Me kalimin e kohës ato mund të bëhen kancerogjene. Ato janë më të përhapura në vende ku një infeksion i caktuar parazitar bëhet shkak për përhapjen e infeksioneve të fshikëzës. Adenokarcinoma – Adenokarcinoma fillon tek qelizat që përbëjnë gjëndrat të cilat sekretojnë mukus në fshikëzën e urinës. Disa lloje të kancerit të fshikëzës përfshijnë më shumë se një lloj qelize.
Faktorët e rrezikut
Faktorët që mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të fshikëzës janë: Duhanpirja – Pirja e duhanit mund të rrisë rrezikun e zhvillimit të këtij lloji kanceri duke shkaktuar akumulim të substancave kimike të dëmshme në urinë. Kur pini duhan, trupi përpunon substancat kimike dhe i sekreton disa prej tyre në urinë. Këto substanca të dëmshme mund të dëmtojnë pjesën e brendshme të fshikëzës, duke rritur kështu rrezikun për zhvillimin e kancerit.
Mosha – Rreziku i kancerit të fshikëzës rritet me moshën. Ky lloj kanceri mund të shfaqet në çdo moshë, megjithatë është më i rrallë tek njerëzit nën 40 vjeç. Të qenët i bardhë: Raca e bardhë është më e rrezikuar nga kanceri i fshikëzës krahasuar me njerëzit që u përkasin racave të tjera. Të qenët mashkull: Burrat janë më të rrezikuar sesa gratë nga ky lloj kanceri. Ekspozimi ndaj substancave të caktuara kimike: veshkat luajnë një rol të rëndësishëm në filtrimin e kimikateve të dëmshme nga qarkullimi i gjakut dhe kalimi i tyre në fshikëzën e urinës. Prandaj, mendohet se këto kimikate (si arseniku) rrisin rrezikun e kancerit të fshikëzës. Trajtimet e mëparshme për kancerin: Trajtimi me ilaçin anti-kancerogjen ‘ciklofosfamide’ rrit rrezikun e kancerit të fshikëzës. Njerëzit që i janë nënshtruar trajtimeve me rreze në pjesën e legenit për një kancer të mëparshëm janë më të rrezikuar nga kanceri i fshikëzës.
Inflamacioni kronik i fshikëzës: Infeksionet kronike ose të përsëritura, apo inflamacionet (cistitet), që mund të shfaqen nga përdorimi i gjatë i një tubi urinar, mund të rrisin rrezikun e kancerit të fshikëzës së urinës. Në disa vende, karcinoma me qeliza skuamoze lidhet me inflamacionin kronik të fshikëzës, i shkaktuar nga infeksioni parazitar i njohur si skistosomiaza. Histori personale ose familjare me kancer – Personat që janë trajtuar më parë nga ky lloj kanceri janë disa herë më të predispozuar që t’u rishfaqet. Gjithashtu, edhe personat që kanë një histori familjare me këtë lloj kanceri mund të jenë të rrezikuar, edhe pse ndodh rrallë që kjo sëmundje të trashëgohet edhe në pjesëtarë të tjerë të familjes. Një histori familjare me kancer kolorektal jopolipoze e trashëgueshme, e quajtur ndryshe si sindroma Lynch, mund të rrisë rrezikun e kancerit në sistemin urinar, si edhe në zorrë, mitër, vezore dhe organe të tjera.
Ndërlikimet
Kanceri i fshikëzës së urinës shpesh ripërsëritet. Prandaj, mbijetuesit e kancerit duhet t’i nënshtrohen kontrolleve të herëpashershme për vite me radhë pas trajtimit me sukses të sëmundjes. Lloji i testeve që ata duhet t’i nënshtrohen varet nga lloji i kancerit të fshikëzës, trajtimeve që kanë përdorur dhe shumë faktorë të tjerë. Zakonisht mjekët rekomandojnë një test çdo 3-6 muaj për ekzaminimin e pjesës së brendshme të uretrës dhe fshikëzës së urinës.
Stadet e kancerit të fshikëzës së urinës: Stadi 1: Në këtë fazë kanceri shfaqet në shtresën e brendshme të fshikëzës së urinës, por që nuk është përhapur akoma në muret muskulore të këtij organi. Stadi 2: Në këtë fazë, kanceri është përhapur në muret e fshikëzës, megjithatë është akoma brenda këtij organi. Stadi 3: Qelizat kancerogjene janë përhapur në të gjithë fshikëzën dhe indet rrethuese të saj. Stadi 4: Në këtë fazë, qelizat kancerogjene mund të jenë përhapur në nodujt limfatikë dhe organe të tjera, si kocka, mëlçi ose mushkëri. Opsionet për trajtimin kancerit varen nga një sërë faktorësh, si lloji apo stadi i kancerit, gjendja shëndetësore e përgjithshme dhe preferencat tuaja për trajtim. Duke pasur parasysh këta faktorë, mjeku mund të përcaktojë se cili trajtim është më i mirë për ju.
Trajtimet për fazat e para të kancerit të fshikëzës
Nëse masa tumorale është e vogël dhe kanceri nuk është përhapur tek muret e fshikëzës, mjeku mund t’ju rekomandojë: Ndërhyrje kirurgjikale për të hequr tumorin: Tumoret sipërfaqësore të fshikëzës urinare trajtohen me resekcion transuretral apo TUR. Ndërhyrje kirurgjikale për të hequr tumorin dhe një pjesë të fshikëzës.
Terapia biologjike (imunoterapia), funksionon duke sinjalizuar sistemin imunitar të trupit që të ndihmojë në luftimin e qelizave kancerogjene. Kjo terapi menaxhohet zakonisht nëpërmjet uretrës dhe direkt në fshikëz (terapia intravezikale). Nëse kanceri ka depërtuar thellë në fshikëz, duhet të kryhen ndërhyrje për heqjen e gjithë fshikëzës, krijimin e një mënyre të re për daljen e urinës nga trupi, kimioterapia dhe terapia me rreze.
Parandalimi
Edhe pse nuk ka ndonjë mënyrë të garantuar për të parandaluar kancerin e fshikëzës, mund të merrni hapa për të ulur rrezikun. Për shembull: Mos pini duhan: Mos pirja e duhanit do të thotë se kimikatet e cigares që shkaktojnë kancer nuk mund të grumbullohen në fshikëzë. Nëse pini duhan, flisni me mjekun që t’ju sugjerojë një plan për heqjen dorë nga ky ves i keq. Kujdes me substancat kimike që ju rrethojnë: Teorikisht, lëngjet, sidomos uji, mund të tresin substancat toksike të grumbulluara në urinë dhe mund t’i nxjerrin më shpejt nga fshikëza. Prandaj studime të ndryshme kanë treguar se konsumimi sa më shumë i ujit ndihmon për të ulur rrezikun e kancerit të fshikëzës. Konsumoni sa më shumë fruta dhe perime: Zgjidhni një dietë të pasur me fruta dhe perime të shumëngjyrshme. Antioksiduesit tek këto ushqime ndihmojnë në uljen e rrezikut të zhvillimit të kancerit.
Kujdesi
5 simptoma të kancerit të fshikëzës që gratë nuk duhet t’i injorojnë
Edhe nëse jeni vigjilente në kryerjen e kontrolleve të herëpashershme të gjirit, lëkurës, kanceri i fshikëzës së urinës me siguri nuk është fare në mendjen tuaj. Për më tepër që ky kancer prek më shumë moshat mbi 65 vjeç, dhe është më i përhapur tek meshkujt sesa tek femrat. Megjithatë, këto statistika nuk duhet të jenë shkak që ju t’i injoroni simptomat e kësaj sëmundje. “Shumë njerëz mendojnë gabimisht se kanceri i fshikëzës së urinës është vetëm një sëmundje për burrat e moshuar”, thotë Arjun Balar, onkolog tek Qendra Mjekësore NYU Langone.
“Por janë më shumë se 18 mijë femra që diagnostikohen me kancer çdo vit në SHBA”.
Gjaku në urinë
Gjaku në urinë është ndër simptomat e para të kancerit të fshikëzës. Shumë gra e injorojnë këtë simptomë duke qenë se e lidhin me ciklin menstrual ose menopauzën. Gjaku në urinë nuk do të thotë medoemos se keni kancer të fshikëzës, megjithatë është e rëndësishme që të konsultoheni me mjekun.
Simptoma të ngjashme me infeksionet urinare
Kanceri i fshikëzës mund të ngatërrohet shpesh me infeksionet e traktit urinar, duke qenë se shumë simptoma janë të ngjashme. Pacientët mund të përjetojnë nevojë të shpeshtë për të urinuar, dhimbje gjatë urinimit, urinim me ndërprerje dhe pamundësi shkarkimi të plotë të fshikëzës, si dhe mos mbajtje të urinës. Nëse vëreni një nga këto probleme në lidhje me urinimin – ndieni sikur duhet të urinoni, nga ana tjetër nuk mund të urinoni, ose e keni të vështirë të boshatisni plotësisht fshikëzën – sidomos edhe nëse antibiotikët nuk kanë funksionuar – duhet të flisni me mjekun.
Dhimbje të pashpjegueshme
Dhimbja zakonisht fillon të shfaqet në fazë më të avancuar të kancerit të fshikëzës. Pacientët mund të kenë dhimbje në pjesën abdominale ose pelvike. Ata mund të kenë gjithashtu dhimbje të kockave, në rastet kur kanceri fillon të përhapet edhe në pjesë të tjera të trupit. Nëse keni dhimbje në këto pjesë të trupit, konsultohuni me mjekun, sidomos nëse i keni edhe simptomat e ngjashme me infeksionet e traktit urinar.
Mungesë oreksi
Mungesa e oreksit është një simptomë e zakonshme e kancerit, dhe këtu nuk bën përjashtim as kanceri i fshikëzës. Nëse kanceri ka filluar të përhapet ose masa tumorale është rritur, mund të filloni të humbisni peshë ose të ndiheni të lodhur dhe të keni dobësi. Sigurisht, mund të keni mungesë oreksi për një mijë e një arsye, prandaj mos mendoni menjëherë më të keqen, por flisni me mjekun nëse është e vazhdueshme.
Duhanpirja
Teknikisht duhanpirja nuk është simptomë, megjithatë, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit, rreth 50% e grave të diagnostikuara me kancer të fshikëzës janë përdoruese të duhanit. Pirja e duhanit është faktori më i madh rrezikues për kancerin e fshikëzës së urinës. Nëse vëreni një nga simptomat e përmendura më sipër, si dhe jeni përdorues të duhanit, duhet të vini në dijeni mjekun. Mjeku mund të përcaktojë nëse është një infeksion i vogël ose diçka më shumë serioze – dhe nëse është kanceri i fshikëzës, është më e lehtë të trajtohet nëse e zbuloni më herët.
“Euro Natur”, shqetësimin se zona Vjosë- Nartë kërcënohet ng...
Ruben Amorim tregon mesazhin që i dha Mourinho pasi mori dre...
Zelensky: Po punojmë në zhvillimin e sistemeve të reja të mb...
Abdixhiku në QKMF-në e Prishtinës: Prezantova planin në shën...
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të...
Bullgaria dhe Rumania, një hap më afër zonës Schengen