Google ADS

Jeni me grip? Ushqimet që ju bëjnë mirë, çfarë duhet të shmangni

10:36 | 9 Janar 2024
K.B

Oreksi është i pari që ikën kur trupi dhe organizmi përfshihet nga gripi dhe virozat.

Megjithatë, ushqimet luajnë një rol kryesor në shërimin e organizmit, rimëkëmbjen e imunitetit dhe metabolizmit.

Por, kjo nuk do të thotë që për hir të shërimit të shpejtë, të varësh shpresat tek disa produkte të cilat për hir të së vërtetës janë shumë të gabuara.

Shmangni drithërat e rafinuara

Gripi e lëndon stomakun duke nxitur diarrenë dhe të përzierat. Ushqime si makaronat ose orizi mund të duken si ngushëlluese, por duhet të tregoni kujdes për drithin e përdorur.

Këto ushqime kanë një nivel të lartë glicemie dhe rrisin ndjeshëm nivelin e sheqerit në gjak.

Për më tepër, karbohidratet e thjeshta nxisin inflamacionin që nuk ju hyn në punë nëse organizmi tashmë po lufton me një virus.

Ëmbëlsirat dhe kafeja

Sheqeri është një karbohidrat i rafinuar dhe nxit inflamacionin. Qëndroni larg pijeve të ëmbla e të gazuara dhe akulloreve.

Në vend të tyre pini çajra bimorë me mjaltë që ju qetësojnë fytin. Djersa dhe temperatura e vazhdueshme e përthajnë organizmin. Ju duhet të hidratoheni por kafeja nuk e ofron këtë, përkundrazi e përkeqëson situatën.

Alkooli

Alkooli mund të bëhet armiku juaj i betuar në rast gripi. Ai e dehidraton organizmin më tej dhe përthan rrugët e frymëmarrjes. Në këtë mënyrë, kolla bëhet e rëndë dhe dërrmuese. Në vend të alkoolit, gjeni ngushëllim te supa e pulës që e ushqen organizmin me përkëdheli.

Suplementët

Suplementë si zinku reklamohen si të mrekullueshëm por ato duhen konsumuar vetëm nëse rekomandohen nga mjeku. Në vend të tyre merrni vitaminë C e cila shkurton kohëzgjatjen e simptomave të gripit.

Vitaminën mund ta merrni duke ngrënë fruta si kivi dhe luleshtrydhet.

Ushqimet me yndyrë

Ushqimet me një nivel të lartë yndyre, mishrat e përpunuar, të gatuar me vaj vegjetal ose yndyrna trans, shkaktojnë inflamacion dhe e nënshtrojnë sistemin imunitar. Për më tepër, ato treten me vështirësi dhe janë gjëja e fundit për të cilat ka nevojë stomaku juaj.

Në vend të tyre konsumoni vezë ose gjel deti, dy produkte të pasura me proteinë.

Produktet e bylmetit

Këto produkte ndoshta nuk kanë ndikim në kohëzgjatjen e të ftohurës apo gripit, por shkaktojnë parehati sidomos në nxjerrjen e sekrecioneve. Këto produkte besohet të trashin sekrecionet dhe vështirësojnë daljen e tyre nga organizmi.

Në vend të tyre, pini lëngje të plota me fruta dhe perime, duke mos injoruar bananen. Me këto hapa, sëmundja do të jetë më e përballueshme dhe organizmi do të rikthehet në gjendjen optimale më shpejt./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme