Ilaçet për presionin e gjakut mund të parandalojnë diabetin e tipit 2, zbulon studimi

10:46 | 12 Nëntor 2021
Trina Galanxhi

Ilaçet për presionin e gjakut mund të parandalojnë miliona njerëz në mbarë botën nga zhvillimi i diabetit të tipit 2, sugjeron një studim i madh.

Ulja e presionit të lartë të gjakut është një mënyrë efektive për të ulur rrezikun e diabetit të tipit 2 në të ardhmen, thuhet në studimin e publikuar në Lancet, transmeton portal arbresh.info

Mjekët tashmë përshkruajnë ilaçe të lira për presionin e gjakut për të reduktuar shanset e një ataku kardiak ose goditjeje kërcënuese për jetën. Megjithatë, deri më tani, pyetja nëse këto barna mund të ndihmonin gjithashtu në shmangien e kërcënimit të diabetit të tipit 2 kishte mbetur pa përgjigje.

Studiuesit kanë zbuluar efekte mbrojtëse të këtyre barnave dhe studimi tregon se ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zvoglimin e rrezikut të diabetit të tipit 2, sëmundje e cila është duke prekur një numër të madh të njerëzve në mbarë botën.

Në studimin më të madh të këtij lloji, studiuesit në universitetet e Oksfordit dhe Bristolit ndoqën më shumë se 145,000 njerëz nga 19 prova klinike të rastësishme globale për një mesatare prej rreth pesë vjetësh.

Ata zbuluan se një reduktim prej 5 mmHg në presionin sistolik të gjakut, i lehtë për t’u arritur nëpërmjet ilaçeve për presionin e gjakut ose ndryshimeve të stilit të jetesës,  uli rrezikun e diabetit të tipit 2 me 11%.

Studiuesit hetuan gjithashtu efektet e pesë llojeve kryesore të barnave për presionin e gjakut nga 22 prova klinike krahasuar me një placebo. Ata zbuluan se frenuesit e enzimës konvertuese të angiotenzinës (ACE) dhe bllokuesit e receptorit të angiotenzinës II (ARBs) kishin efektin më të fortë mbrojtës, të dy duke reduktuar rrezikun relativ të dikujt për zhvillimin e diabetit me 16%.

Aktualisht, ekspertët mjekorë thonë se të kesh një peshë të shëndetshme dhe të adoptosh një mënyrë jetese të shëndetshme është mënyra më e mirë për të reduktuar rrezikun e diabetit të tipit 2.

Autori kryesor i studimit, Prof. Kazem Rahimi, tha se “studimi ynë ofron prova të qarta se dhënia e frenuesve ACE ose ARB, të cilat janë gjerësisht të disponueshme dhe të përballueshme në mbarë botën, për pacientët me rrezik të lartë mund të frenojë barra në rritje e diabetit të tipit 2”.

Diabeti dhe presioni i lartë i gjakut janë dy probleme të rëndësishme dhe në rritje që rrisin mundësinë e një personi për të zhvilluar një sërë komplikimesh të tjera serioze shëndetësore, duke përfshirë sulmet në zemër dhe goditjet në tru. Ky studim tregon se të dyja janë të ndërlidhura dhe se ulja e presionit të gjakut mund të jetë një mënyrë e fuqishme për të reduktuar rrezikun e zhvillimit të diabetit./Guardian/ arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme