Huruglica në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit: Infermierët duhet ta kenë pagën e merituar

12:03 | 7 Prill 2018
Arbresh.info

Në Ditën Ndërkombëtare të Shëndetit, kolegji AAB ka organizuar simpoziumin e dytë me temën “Qasja e integruar ndaj shëndetit dhe edukimi shëndetësor”, njofton Klan Kosova.

Në këtë organizim, u tha se shëndeti nuk duhet të lihet vetëm në duar të mjekëve por duhet kujdesur secili për veten.

Fetije Huruglica, drejtoreshë e Infermierisë në Ministrinë e Shëndetësisë gjatë këtij organizimi tha: “Si ministri jemi ballafaquar me sfida të ndryshme për shërbime sa më cilësore. Infermierët duhet ta kenë vendin e merituar dhe pagën e merituar si dhe llogaridhënien, e kjo gjë do të jetë prioritet për Ministrinë e Shëndetësisë”.

Në këtë takim u diskutua edhe për psikologjinë klinike kur po kërkohet që edhe psikologët të kenë qasje me pacientët.

Problemi kryesor ka qenë që qeveria të ndajë buxhet për psikologë disa prej të cilëve punojnë nëpër shkolla fillore dhe  të mesme, por paguhen nga komunat. Edhe psikologët kërkuan që të futën në listën e të rëndësishmëve për shëndetin, dhe të jenë nëpër qendrat e mjekësisë familjare pranë secilit pacient.

Në këtë takim, ishin prezent edhe përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, Oda e Infermierëve dhe përfaqësues nga shumë shoqata që kanë të bëjnë me shëndetin publik./Klan Kosova/

Të ngjashme