Hepatiti B, simptomat dhe rrugët e transmetimit

10:12 | 25 Janar 2019
Arbresh.info

Hepatiti B është një sëmundje e mëlçisë e shkaktuar nga virusi i hepatit B. Te disa njerëz infeksioni i hepatitit B bëhet kronik, që do të thotë se zgjat më shumë se 6 muaj. Hepatiti B kronik rrit rrezikun për zhvillimin e problemeve me mëlçinë, si kanceri i mëlçisë ose cirroza.

Në shumicën e rasteve të rriturit arrijnë të shërohen plotësisht nga hepatiti B, edhe nëse shenjat dhe simptomat janë të rënda. Foshnjat dhe fëmijët janë më të rrezikuar që të zhvillojnë infeksion kronik të hepatitit B, transmeton Shendeti.com.al.

Vaksina mund të parandalojë hepatitin B, por nuk ka një kurë për sëmundjen. Nëse jeni infektuar me këtë virus, mund të ndërmerrni disa masa parandaluese për të mos e përhapur virusin te të tjerët.

Simptomat

Shenjat dhe simptomat e hepatitit B fillojnë nga më të lehta deri më të rënda. Ato zakonisht shfaqen rreth 1-4 javë pasi një person është infektuar me virusin e hepatitit B. Disa persona, zakonisht fëmijët, mund të mos shfaqin asnjë simptomë.

Shenjat dhe simptomat e hepatitit B janë:

  • Dhembje abdominale
  • Urinë në ngjyrë të errët
  • Temperaturë e lartë
  • Mungesë oreksi
  • Të përziera dhe të vjella
  • Lodhje dhe dobësi
  • Zverdhje të lëkurës dhe të të bardhave të syve (verdhëz)

Kur duhet të paraqiteni te mjeku

Nëse e dini që jeni të ekspozuar ndaj hepatitit B, bëni menjëherë një vizitë mjekësore. Një trajtim parandalues mund të ulë rrezikun e infektimit nëse e merrni trajtimin brenda 24-orësh pas ekspozimit ndaj virusit.

Nëse mendoni se keni këto shenja ose simptoma të hepatitit B, flisni me mjekun.

Shkaqet

Infeksioni i hepatitit B shkaktohet nga virusi i hepatitit B. Virusi transmetohet nga një person te tjetri nëpërmjet gjakut, spermës ose lëngjeve të tjera të trupit. Nuk përhapet nga teshtima ose kollitja.

Mënyrat me të cilat mund të përhapet virusi i hepatitit B janë:

Kontakti seksual. Mund të prekeni nga hepatiti B nëse kryeni marrëdhënie seksuale pa masa mbrojtëse me një person të infektuar. Virusi mund të përhapet nga ekspozimi ndaj gjakut të infektuar, ose likideve të tjera të trupit, si pështyma, sperma ose sekrecionet vaginale.

Shkëmbimi i gjilpërave/shiringave. Virusi i hepatitit B përhapet lehtësisht nëpërmjet gjilpërave dhe shiringave të kontaminuar me gjakun e një personi të infektuar.

Shpimi aksidental me gjilpërën e kontaminuar. Punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe kushdo që është në kontakt me gjakun e njeriut janë të rrezikuar që ta marrin aksidentalisht hepatitin B.

Nga nëna te fëmija. Gratë shtatzëna të infektuara me virusin e hepatitit B mund ta transmetojnë virusin te foshnja gjatë lindjes së fëmijës. Gjithsesi, i sapolinduri mund të vaksinohet për të shmangur infektimin në çdo rast.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme