Gratë që pësojnë abort përjetojnë simptoma afatgjata të stresit post-traumatik

01:25 | 17 Janar 2020
Trina Galanxhi

Një në gjashtë gra që humbasin fëmijën gjatë shtatzënisë përjetojnë simptoma afatgjata të stresit post-traumatik. Sipas një studimi të ri, gratë kanë nevojë për më shumë përkujdes specifik pasi pësojnë abort ose shtatzëni ektopike (fetusi zhvillohet jashtë mitrës).

Toni Edwards-Beighton mendoi se u çmend pas një aborti në vitin 2016.

 

“Ndjeva se nuk duhet të pikëllohesha sepse nuk ishte një fëmijë i vërtetë, por isha në shok të plotë,”- tha 36-vjeçarja.

Tonit dhe bashkëshortit të saj Matt iu tha se zemra e foshnjës së tyre nuk rrihte, kur ajo ishte vetëm 12 javëshe shtatzënë, para se të pësonte një abort të natyrshëm në shtëpi. Por ajo nuk e priste që do të kishte gjakderdhje për disa ditë me radhë dhe më pas të kishte kontraktime të dhimbshme.

“Mendova se po çmendesha,”- u shpreh ajo. “Nuk kisha asnjë informacion se çfarë do të ndodhte me mua.”

Në javët që pasuan, ajo filloi të frikësohej për gjithçka, veçanërisht për vajzën e tyre që në atë kohë ishte katër vjeç. Muaj më vonë, mjeku e diagnostikoi me PTSD (çrregullim të stresit post-traumatik) dhe i ofroi këshillim por nuk e vazhdoi për shkak se kishte mbetur sërish shtatzënë.

“Nëntë muajt e ardhshëm ishin të tmerrshëm, isha e bindur që do ta humbja përsëri fëmijën tim,”- tha ajo.

Tani Toni dhe Matt janë prindër të dy vajzave, Phoebe 8 vjeç dhe Willow, 2 vjeç.

Në studimin e kryer nga Imperial College London dhe KU Leuven në Belgjikë ku morën pjesë 650 gra, 29% e tyre treguan simptoma të stresit post-traumatik një muaj pas humbjes së shtatzënisë dhe kjo shifër binte në 18% pas nëntë muajsh. Shumica prej tyre pësuan abort të parakohshëm kur ishin 12 javëshe, ndërsa pjesa tjetër kishin shtatzëni ektopike. Nga gratë e marra në studim, një muaj pas humbjes së foshnjës së tyre, 24% kishin simptoma ankthi dhe 11% të depresionit. Studimi zbuloi se pas nëntë muajsh këto shifra u ulën në 17% dhe 6%./monitor/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme