Google ADS

A e shkakton dhimbjen kronike mungesa e vitaminës D

18:51 | 6 Janar 2018
Arbresh.info

Mungesa e vitaminës D është e lidhur me probleme të ndryshme shëndetësore, ndërsa studim i ri, i botuar në revistën “British Society for Rheumatology” zbulon se niveli i ulët i vitaminës D në trup mund të shkaktojë zhvillimin e dhimbjes kronike, e cila pas një kohe fillon të përhapet në të gjithë trupin.

Vitamina D në trup formohet gjatë ekspozimit ndaj diellit. Shumë pak ushqime janë burim natyror i vitaminës D. Këto janë peshku i yndyrshëm, kërpudhat, e bardha e vezës dhe mëlçia. Vitamina D viteve të fundit i shtohet edhe qumështit dhe produkteve të qumështit.

Në studimin e shkencëtarëve nga Britania e Madhe morën pjesë më shumë se 2.300 meshkuj. Shkencëtarët i monitoruan shprehitë e tyre shëndetësore dhe të jetesës për një periudhë katërvjeçare. Në fillim të studimit, 1 në 15 meshkuj ndiente dhimbje kronike në pjesë të ndryshme të trupit.

Këta meshkuj janë zakonisht të trashë, fizikisht joaktivë, dhe kishin vuajtur nga depresioni.

Kur hulumtuesit i kishin matur nivelet e vitaminës D në trupat e pjesëmarrësve, ata zbuluan se mungesa e vitaminës D në trup e rrit rrezikun nga shfaqja e dhimbjes kronike për madje 50 për qind.

“Dhimbjet në indet muskulore dhe të eshtrave janë shenja të mungesës serioze të vitaminës D në trup”, tha udhëheqësi i studimit, prof. Paul McCabe.

Studiuesit theksojnë se kanë zbuluar se mungesa e vitaminës D është e lidhur me zhvillimin e dhimbjes kronike, por theksojnë nevojën për të vazhduar kërkimin për të përcaktuar nëse rritja e marrjes së vitaminës D do ta parandalojë shfaqjen e dhimbjes kronike.

Ata gjithashtu theksojnë se personat që vuajnë nga mungesa e vitaminës D në trup, në parim nuk kujdesen si duhet për trupin e tyre. Ata janë më rrallë fizikisht aktivë dhe më pak kujdesen për dietën e tyre, gjë që në vetvete mund të shkaktojë dhimbje kronike në trup.

Rezultatet e këtij studimi janë preliminare dhe nevojitet të kryhet një vlerësim nga ekspertë të jashtëm. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme