Duhani do vrasë 2 milionë njerëz më shumë

09:58 | 10 Mars 2019
Arbresh.info

Dëmet që shkakton pirja e duhanit në trupin tonë janë shumë të mëdha. Është një studim i cili tregon se pirja e duhanit deri në vitin 2030 do vrasë dy milion njerëz.

Në këtë përfundim ka arritur një studim i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe i Qendrës Kombëtare të Kancerit në SHBA. Kostoja tejkalon ndjeshëm të ardhurat globale nga taksat e duhanit, që sipas OBSH-së kapën vlerat e 269 miliardë dollarëve në vitet 2013-2014.

“Raporti është i rëndësishëm në të paktën dy drejtime. Ai nxjerr në pah se kostot ekonomike të duhanpirjes janë më shumë se një trilion dollarë çdo vit, ndërsa viktimat që aktualisht janë 6 milionë do të rriten në 8 milionë në vitin 2030”, tha Jermiah Paul, përfaqësues i OBSH-së.

Raporti prej 688 faqesh thekson se kostot ekonomike pritet të rriten edhe më shumë, e pavarësisht faktit se qeveritë kanë mjetet për të reduktuar duhanpirjen dhe vdekjet e shkaktuara prej saj, nuk i kanë përdorur siç duhet ato.

Mes politikave të lira dhe efikase përfshihen rritja e taksave dhe çmimit të cigareve, ndalimi i kompanive të marketingut të duhanit dhe ilustrimi figurativ i dëmeve të shkaktuara nga duhanpirja. Sipas studimit, rreth 80 për qind e duhanpirësve jetojnë në vende me të ardhura të ulëta e të mesme, e pavarësisht rënies së numrit të shitjeve në disa vende, duhanpirësit në botë janë shtuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme