07:41 | 29 Janar 2018
Arbresh.info
Iktusi, infarkti, sindroma akute koronare, rupturat e aneurizmave dhe aritmitë… Janë disa nga problemet kardiovaskulare që kanë të ngjarë të ndodhin më shpesh pas një zemërimi apo inati.
Kjo është ajo që lexojmë në faqet e revistës evropiane të zemrës (European Heart Journal), ku kohët e fundit është botuar një studim amerikanë i kryer nga Elizabeth Mostofsky e Harvard School of Public Health në Boston dhe kolegët e saj.
“Në dy orët që pasojnë një “krizë inati” risku për iktus rritet katër herë dhe rreziku për të bërë infarkt miokardi shkon në 5 herë më i lartë në krahasim me momentet gjatë të cilave jeni të qetë dhe të pa zemëruar “, thotë studiuesja.
Kjo nuk është hera e parë që vlerësohen rritjet e përkohshme të rriskut për të shfaqur shqetësime të rënda në zemër në lidhje me zemërimin, por studimet e publikuara deri më sot përfshinin vetëm pak persona – me përjashtim të njërit prej tyre i cili ka përfshirë 4,000 individë.
“Për këtë arsye ne kemi zgjedhur një meta-analizë, e cila është analiza e përbashkët e të gjitha studimeve të publikuara mbi këtë temë”, thotë studiuesja, e cila në analizën e saj ka përfshirë të dhëna nga 9 studime klinike të publikuara midis viteve 1995 dhe 2013 nga studiues të kombësive të ndryshme. Siç pohojnë autorët, studimi nuk vërteton se zemërimi është shkaku i këtyre ngjarjeve kardiovaskulare, por tregon, për shembull, se rreziku 2 orë pas krizës së inatit është më i lartë në njerëz të cilët janë tashmë të rrezikuar për sëmundje kardiovaskulare shkruhet ne websiten Doktor33.al.
Në llogaritjen e probabilitetit për iktus, infarkt dhe ngjarje të tjera kardiake është e rëndësishme të merret parasysh stresi psikologjik që mund të ketë një rol të rëndësishëm në mekanizmat që lidhin zemërimin me problemet e zemrës dhe enëve të gjakut. Për të kufizuar dëmet e lidhur me sulmet e zemërimit, autorët sugjerojnë që të përdorim barna në rastet më të ndërlikuara, por Suzanne Arnold, e University of Missouri në Kansas City nuk tregohet plotësisht dakord dhe thotë se përdorimi vetëm i barnave nuk mjafton:
“Duhet të veprojmë në një mënyrë më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse pa lënë pas dore stresin psikologjik dhe të gjitha implikimet e tij për të përballuar një zemër “armiqësore”. Megjithatë, ka një pretendim për të cilin ekspertët bien dakord: mënyra më efektive për të mbrojtur zemrën tuaj është padyshim parandalimi./living.al