Keni kujdes se çfarë flisni nëse jeni afër një shtatzëne, sepse edhe bebja brenda në barkun e saj mund t’ju dëgjojë!
Duket e pabesueshme, por edhe bebja brenda në mitrën e nënës mund të dallojë tonet e të folurit, ngjashëm sikur ne po të mbulojmë gojën me dorë dhe të flasim ose të këndojmë. Nëse veprojmë kështu askush nuk kupton se çfarë po themi, por gjithkush e dallon ritmin e të folurit, e kupton se a po këndojmë, a po flasim normalisht ose a po bërtasim apo shajmë.
Veshët e bebes fillojnë të zhvillohen që nga java e tetë e zhvillimit brenda në mitër, kurse marrin formën definitive rreth javës 24. Është vërtetuar tashmë se bebja brenda në mitrën e nënës dëgjon zëra dhe zhurma. Studimet kanë treguar se fëmija fillon të dëgjojë që nga java e 20. Sot është e mundur që me aparaturat e sofistikuara ultrasonografike të shihet edhe reagimi i bebes që e kthen kokën kur dëgjon zhurmë të menjëhershme.
Bebja brenda në mitrën e nënës nuk jeton në një qetësi absolute, por përkundrazi është vërtetuar se ajo dëgjon zhurmë e cila krahasohet me zhurmën që bën fshesa (thithësja) elektrike e pluhurit. Kjo zhurmë shkaktohet nga qarkullimi i gjakut tek nëna, nga ritmi i zemrës së nënës dhe nga zhurma që bëjnë zorrët e nënës. Megjithatë, bebja reagon nëse papritur dëgjon një zë dhe kjo manifestohet me ndryshim të frekuencës së zemrës së saj, ndryshon lëvizjet dhe bile edhe mund të urinojë.
Shumica e shtatzënave pohojnë se, ajo i shton goditjet nëse nëna trembet nga në zhurmë si thyerja e pjatës ose përplasja e derës. Është vërtetuar poshtu se bebja qetësohet kur e dëgjon nënën e vet duke folur (kjo manifestohet me ngadalësim të të rrahurave të zemrës). Pra, bebja jo vetëm që mund t’ju dëgjojë juve, por edhe mund të dallojë tonin e zërit me të cilin ju i flisni. Normalisht që nuk mund t’i kuptojë fjalët, por e dallon tonin e zërit me të cilin i flisni. Poashtu, ajo mund ta dallojë edhe muzikën nga të folurit.
Një pyetje që e bëjnë shpesh shtatzënat është se “a bëhet më kreative, më e mençur ose më e zhvilluar bebja nëse dëgjon një lloj të caktuar të muzikës?”. Akoma nuk është e qartë se a ndikon roli i muzikës në zhvillimin neurologjik të bebes.
Në fillim të viteve ’90 hulumtuesi francez Alfred Tomatis insistonte se ekziston “efekti Mozart” që do të thotë se nëse bebja brenda në mitrën e nënës dëgjon muzikë klasike, atëherë përmirësohet zhvillimi i trurit. Disa hulumtues tjerë mendojnë se ky përfundim është i ekzagjeruar dhe se nuk ka fakte se përmes këtyre intervenimeve in-utero, bebja bëhet më e mençur. Por, a ka dallim nëse një shtatzënë dëgjon Bethovenin, Rolling Stones apo dëgjon muzikë tallava?
Mendohet se nuk ka ndikim; një shtatzënë mund të dëgjojë gjithë ditën muzikë tallava dhe kur të rritet mund të bëhet përkundrazi një këngëtar i muzikës klasike ose t’i pëlqejnë këngët e Xenit. Sido që të jetë shtatzëna në asnjë mënyrë nuk duhet të vendosë kufjet në barkun e vet për t’ia bërë të mundur bebes të dëgjojë muzikë, sepse në këtë mënyrë çrregullohet ritmi i gjumit i bebes dhe rrezikohet rritja.
Edhe më herët është menduar (ndonëse nuk ka pasur fakte) se bebet e porsalindura mund të dallojnë zërat në një gjuhë të huaj nga zërat të cilët bebja është mësuar t’i dëgjojë sa ka qenë në mitrën e nënës. Ky përfundim është faktuar me studimin që është publikuar në janar të vitit 2013 në Acta Paediatrica.
Sipas autores Christine Moon ky është studimi i parë i cili tregon se fetusi mësohet me disa zëra të gjuhës amtare edhe përpara se të lindë (pra akoma sa është në mitrën e nënës). Është bërë një studim interesant për të vërtetuar se a ndikon në perceptimin fonetik tek saj nëse bebja dëgjon një gjuhë të caktuar derisa është në mitrën e nënës. Studimi është kryer në Suedi dhe në ShBA.
Janë studiuar reagimet e 40 bebeve në Suedi dhe 40 bebeve ne ShBA të cilat kishin lindur mesatarisht 33 orë më parë (pra pak më shumë se një ditë pas lindjes). Këtyre bebeve iu është dhënë një biberon i cili ishte i lidhur me një analizator kompjuterik. Gjatë thithjes bebeve iu janë lëshuar zëra me zanore karakteristike për gjuhën angleze dhe gjuhën suedeze dhe në mënyrë kompjuterike është analizuar se sa shpesh këto bebe e thithin biberonin. Zanore karakteristike për anglishten ishte zanorja “I” kurse për suedishten “Y”.
Rezultati ishte ky: bebet të cilat dëgjonin rrokjet e gjuhës amtare reagonin ndryshe kur dëgjonin rrokjet e gjuhës joamtare. Kur bebet dëgjonin zanoret e gjuhës joamtare ato thithnin biberonin më shpesh, krahasuar me zanoret e gjuhës amtare të cilat i perceptonin si “të njohura” dhe kjo manifestohej me një qetësi dhe rehati më të theksuar të bebes.
Si përfundim, gjuha të cilën e kanë dëgjuar bebet brenda në mitrën e nënës ndikon në perceptimin e gjuhës së tyre amtare. Koautor i këtij hulumtimi është Hugo Lagercrantz, profesor në Institutin Karolinska në Suedi. /Telegrafi/
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...