Google ADS

Çka është pneumonia dhe si trajtohet?

23:24 | 5 Mars 2020
L G

Mushkëritë nga brenda janë të ndërtuara nga rrugët e ajrit që ndahen në degë gjithnjë e më të imta, e të cilat në fundin e tyre i kanë disa struktura në formë të qeskave shumë të vogla të mbushura me ajër

Ass. Dr. Besim Morina
Specialist i Mjekësisë interne dhe Pulmologjisë
Poliklinika EndoCLINIC
044 660 900

Mushkëritë në dukje i përngjajnë sfungjerit, janë shumë elastike dhe të mbushura plot me ajër. Pneumonia paraqet pezmatimin apo ënjtjen e këtij “sfungjeri” në njërën apo dy mushkëritë, me rast këto qeska të vogla me ajër ënjten dhe mbushen me lëng.

Ky pezmatim i mushkërive zakonisht shkaktohet nga një infeksion me baktere, kurse më rrallë nga ai me virus.

Simptomat e pneumonisë

Simptomat më të shpeshta të pneumonisë janë: kolla, vështirësia në frymëmarrje, temperatura e lartë, ethet, djersitja, plogështia e rëndë, humbja e oreksit dhe dhimbja e gjoksit gjatë kollitjes. Kolla mund të jetë e thatë, apo e shoqëruar me këlbazë me ngjyrë të verdhë, gjelbër apo ngjyrë kafe.

Në raste më të rralla mund të paraqiten kollitja me gjak, dhimbja e nyjeve dhe muskujve, konfuzioni apo humbja e orientimit, sidomos te të moshuarit.

Kush preket nga pneumonia

Ҫdo vit rreth 1% e të rriturve sëmuren nga pneumonia. Kjo ndodh më së shpeshti në muajt e vjeshtës dhe dimrit. Ajo mund t’i prekë të gjitha moshat, sidomos fëmijët dhe të moshuarit. Te këto dy grupe pneumonia është edhe më serioze. Këta zakonisht kanë nevojë për trajtim në spital.

Përveç tyre, grupe tjera me rrezik të lartë të zhvillimit të pneumonisë janë edhe duhanpirësit, personat të cilët vuajnë nga sëmundje kronike të zemrës e veshkave, personat me astmë, bronkit kronik, apo te ata cilët kanë imunitet të dobët si në rastet pas një gripi apo hemoterapisë.

Cilët janë shkaktarët e pneumonisë

Pneumonia më së shpeshti shkaktohet nga infeksioni me bakterin e quajtur Pneumokok. Përveç kësaj pneumonia shkaktohet edhe nga baktere tjera. Kjo lloj pneumonie e shkaktuar nga bakteret quhet pneumoni bakteriale.

Përveç pneumonisë bakteriale, forma tjera janë edhe: pneumonia virale (e shkaktuar nga viruse të ndryshëm), pneumonia e shkaktuar nga myshqet (te njerëzit me imunitet te dobët), pneumonia spitalore (kur pneumonia zhvillohet te pacientët e shtrirë në spital për shkaqe tjera apo për intervenime kirurgjike, si dhe pneumonia aspirative (qe zhvillohet kur përmbajtja e vjellur, ndonjë cope ushqimi apo trup i huaj futet në rrugët e ajrit.

Diagnostikimi i pneumonisë

Dyshimi për pneumoni vendoset në baze të simptomave të sëmundjes si dhe tingujve kërcitës që dëgjohem gjatë auskultimit të gjoksit dhe shpinës me stetoskop.

Pneumonia nganjëherë është vështirë të dallohet nga gjendjet si gripi, bronkiti apo astma, për këtë arsye kërkohen edhe teste dhe ekzaminime tjera si radiografia e mushkërive, testet e gjakut apo te këlbazës.

Trajtimi i pneumonisë

Format e lehta të pneumonisë zakonisht trajtohen në shtëpi, me antibiotikë, duke pirë sasi të bollshme të lëngjeve si dhe me pushim të mjaftueshëm.

Simptomat fillojnë të përmirësohen pas fillimit të terapisë, por përkundër kësaj terapia me antibiotikë duhet të vazhdohet siҫ është përshkruar nga mjeku, pasi ne rast të ndërprerjes së parakohshme të antibiotikut, mund të vije deri te zhvillimi i rezistencës së baktereve ndaj antibiotikut.

Nëse gjendja nuk përmirësohet brenda 3 apo 4 ditësh, atëherë pacienti duhet të paraqitet prapë te mjeku. Kjo mund të ndodhë për shkak se bakteri që e ka shkaktuar infeksionin është rezistent ndaj antibiotikut të përshkruar. Mjeku në këtë rast mund ta ndërrojë atë apo ta shtojë një antibiotik të dytë.

Përveç kësaj, mospërmirësimi i gjendjes mund të vjen edhe në rastet kur pneumonia të jetë shkaktuar nga ndonjë virus apo myk, ndaj të cilëve antibiotikët nuk kanë efekt fare. Gjithmonë duhet pasur parasysh që kolla mund të vazhdojë edhe për disa javë pas trajtimit.

Trajtimi në spital kërkohet kur gjendja është e rëndë. Në këto raste antibiotikët fillohen menjëherë. Poashtu mund të jepen lëngje përmes rrugës intravenoze, si dhe mund të jepet oksigjen shtesë.

Në rastet shumë të rënda që shoqërohen me probleme të frymëmarrjes mund të nevojitet ndihma e një ventilatori për ta mbajtur nivelin adekuat të oksigjenit në një njësi të mjekimit intensiv.

Komplikimet e pneumonisë janë më të shpeshta te fëmijët e vegjël, të moshuarit apo ata me sëmundje kronike si psh., sëmundjet e zemrës, veshkave apo diabetit.

Komplikimet e mundshme të pneumonisë përfshijnë: pleuritin (pezmatimin e cipës apo mbështjellësit të mushkërive që zakonisht qon në grumbullimin e ujit ne gjoks), abscesin (dëmtimi i indit të mushkërive nga infeksioni dhe grumbullimi i qelbit ne atë vend), sepsa (kalimi i infeksionit ne gjak apo helmimi i gjakut), etj.

Si përfundim, pas shërimit disa personave të cilët janë më të rrezikuar ju rekomandohet të vaksinohen për grip dhe për pneumokok. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme