Osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e saj reduktohet gradualisht duke e bërë atë më të thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma derisa ndodh fraktura e parë. Në shumë raste është ajo që evidenton osteoporozën, prandaj dhe është quajtur “epidemi e heshtur”. Në mbarë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç pësojnë një thyerje kocke prej osteoporozës. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit. Çdo tri sekonda ndodh një frakturë nga osteoporoza.
Pas moshës 20 vjeç, hollimi i kockave është një proces natyral që nuk mund të ndalet plotësisht, prandaj ndërgjegjësimi për osteoporozën duhet të fillojë që në moshë të re. Mënyra më e mirë për të parandaluar dobësimin e kockave është fillimi i aktivitetit fizik dhe ushqyerja e shëndetshme që në fëmijëri, dhe ruajtja e këtyre zakoneve dhe në moshë të rritur. Kryerja e ushtrimeve të rregullta fizike luan një rol të rëndësishëm në ndërtimin dhe mbajtjen e masës kockore. Ushtrimet janë individuale, por përgjithësisht shumica e njerëzve kanë nevojë për 30-40 minuta aktivitet fizik, 3 deri 4 herë në javë. Sasia e kalciumit që duhet të marrim ndryshon në stade të ndryshme të jetës. Kërkesat për kalcium janë të larta në vitet e adoleshencës. Me kalimin e moshës aftësia e trupit për të përthithur kalcium ulet. Ushqimet e pasura me kalcium janë: qumështi e produktet e tij; perimet jeshile si brokoli, lakra jeshile; disa fruta si portokalli, kajsia, fiqtë e thatë; peshku i konservuar, sardelet; arrat, bajamet; drithërat; lëngjet e frutave, etj. Vitamina D është gjithashtu esenciale për përthithjen e kalciumit. Ekspozimi për 15 minuta në ditë në diell i duarve, i krahëve dhe fytyrës, është zakonisht i mjaftueshëm për prodhimin e vitaminës D për shumicën e njerëzve.
Vitamina D mund të sigurohet edhe nga ushqimet dhe suplementët. Ushqime të pasura me vitaminë D janë vaji i peshkut, veza, mëlçia, drithërat, etj. Mospirja e duhanit, pirja e moderuar e alkoolit dhe mbajtja e peshës trupore brenda kufijve të normës, janë disa faktorë të rëndësishëm. Kafeina dhe kripa mund të rrisin humbjen e kalciumit nga trupi, prandaj nuk duhet të merren në sasi të tepërta. Megjithëse nuk ka të dhëna bindëse që tregojnë se pijet e gazuara joalkoolike dobësojnë kockat, nuk duhet tepruar me to.
Vëllaznimi “deklason” Prishtinën në Gjakovë
Ushtarët italianë të KFOR-it patrullojnë në bjeshkët e Istog...
Nesër inaugurohet Laboratori i Forenzikës, marrin pjesë Hajd...
Veliaj uron qytetarët për festat: E nisim vitin 2025 si Krye...
Momenti kur shefi i linjës ajrore përkulet në shenjë falje p...
Trepça arrin marrëveshje me Kristi Kote