Mbledhja e premiumeve në kuadër të ligjit për Sigurimet Shëndetësore, që mendohej të niste nga muaji korrik, mund të jetë vënë në diskutim pas rënies së Qeverisë së Kosovës dhe shpërbërjes së Kuvendit dhe njëkohësisht është cilësuar si i kundërligjshëm nga sindikalistët shëndetësorë.
Por, për zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë mbledhja e premiumeve për Ligjin për sigurime shëndetësore, pavarësisht ndryshimeve në qeverisjen e Kosovës, do të nisë në përputhje me planin e paraparë dhe 1 korriku i këtij viti është futur në kalendarin e fillimit të punës.
Ligji fillimisht u parapa të niste së zbatuari në janar të këtij viti, por projekti u tha se shtyhet për në muajin korrik, me arsyetimin e qartësimit të mëtejmë të tij.
Ekspertët vlerësojnë se për një vit premiumet do të sillnin rreth 60 milionë euro të mbledhura, derisa sipas ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, me kalimin e viteve dhe futjen në sistem të të gjithë kontribuuesve, buxheti mund të shkonte edhe deri në 100 milionë euro në vit.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Valbon Krasniqi, i tha Radios Evropa e Lirë se 1 korriku i këtij viti është data e përcaktuar dhe synimi që të nis mbledhja e premiumeve për Ligjin për sigurime shëndetësore.
“Ministria e shëndetësisë po vazhdon të punojë sipas planit të paraparë sa i përket themelimit të fondit për sigurime shëndetësore. Ministria e ka dorëzuar në Qeveri një plan deri në fillimin e mbledhjes së premiumeve dhe ne po vazhdojmë me proces. Nuk kemi ndryshim të aktiviteteve”.
“Shumë shpejtë do të fillojmë edhe me fushatën e sigurimeve shëndetësore për të informuar qytetarët për fillimin e mbledhjes së premiumeve dhe gjitha proceset që ndërlidhen me këtë ligj. Nuk ka ndryshim sa i përket datës dhe nuk ka ngecje ose kërkesa për të prolonguar procesin përkundrazi kemi përkushtim për të vazhduar aktivitetet sipas planit”.
Mbledhja e premiumeve, thotë kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, është e kundërligjshme, për faktin e rënies së Qeverisë.
“Ne kemi një Qeveri në dorëheqje. Qeveria i ka pasur disa detyra, si atë të ndryshimit të legjislacionit, Ligji i sigurimeve shëndetësore dhe Ligji i shëndetësisë dhe nuk i plotëson kushtet për mbledhjen e premiumeve. Përveç se është vendim politik. Por, në këtë rast është edhe shkelje e ligjit”, tha ai.
Por për njohësit e çështjeve ligjore, Ligji nuk është në shpërputhje dhe vendimet e qeverisë janë të plotfuqishme deri në një vendim tjetër që mund të marrë institucioni. Kështu tha Ehat Myftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, për Radion Evropa e Lirë.
“Vendimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës në kohën kur nuk ka qenë në dorëheqje, janë vendime që duhet të zbatohen dhe është obligim i institucioneve për zbatimin e tyre”.
“Qeveria në dorëheqje që nga koha kur ka marrë vendvotimin nga Kuvendi i Kosovës, Qeveria ka mandate me marrë vendime teknike, por nuk ka fuqi të merr vendime madhore, e që të njëjtat kërkohet të miratohen në Kuvend. Vendimet që janë marrë ma herët janë valide dhe është obligim nga institucionet që të zbatohen”.
Qeveria e Kosovës miratoi vitin e kaluar Rregulloren për Menaxhimin Financiar të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Statutin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke planifikuar ndarjen e 17 milionë eurove për të punësuarit në sektorin publik dhe rreth 14 milionë euro për sektorin privat. /Rel/
“Edi, eja dashuria ime” – Gjesti me kunja ndaj Xhenetës
Fonseca insiston se Milani mund ta fitojë titullin kampion p...
Palestinezët e konsiderojnë moment historik urdhër arrestin ...
“Ose do bëhet multiplanetare, ose do zhduket”, paralajmërimi...
Çka i shkakton dhimbjet e kokës në mëngjes?
A Kane karbohidrate kartotat dhe barishtet jeshile?