Anemia tek të rriturit dhe fëmijët, ushqimet që s’duhet të mungojnë në regjimin tuaj ushqimor

09:03 | 15 Mars 2018
Arbresh.info

Anemia është një nga sëmundjet që sjell shumë simptoma klinike në organizmin e pacientëve që vuajnë prej saj. Rrallë mund të ndodhë që anemia të vijë si pasojë e keqpërthithjes së lindur të hekurit, acidit folik, apo vitaminës B12.

Më shpesh, anemia është pasojë e sëmundjeve të tjera, të cilat si komplikacion sjellin anemi, pra ulje të numrit të rruazave të kuqe të gjakut (eritrociteve), të hemoglobinës, ose të dyjave së bashku. Mirëpo, eritrocitet me hemoglobinën përkatëse janë të rëndësishme për transportin e oksigjenit në çdo qelizë të organizmit dhe në largimin e dioksidit të karbonit pej tyre. Kjo sjell si pasojë kryesore plogështinë, por shfaqen edhe ndjenjat e therrjeve si të gjilpërave në duar dhe këmbë, mungesa e vullnetit, depresioni, kujtesa e dobët; Këto shenja i përkasin mungesës së hekurit. Nëse mungon vitamina B12 apo acidi folik, jeni më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Kjo është arsyeja se pse duhet ta pasuroni dietën tuaj me ushqime të pasura me hekur, vitaminë B12 dhe acid folik. Ushqimet kundër anemisë:

Soja dhe drithërat: Shumica e drithërave janë të pasura me hekur, por ato duhet të zgjidhen me kujdes, sepse disa përmbajnë acid fitik, i cili e vështirëson absorbimin e hekurit. Megjithatë, këtë mund ta zgjidhni duke i zhytur drithërat në ujë gjatë natës. Ndër këto perime leguminoze, soja është më e mira për aneminë. (Sigurisht, bëni kujdes se çfarë soje blini, sepse sojë OMGJ (Organizma të Modifikuar Gjenetikisht) ka më së shumti në treg). Në dietë është e këshillueshme të përfshini edhe kuinoa, e cila është një zëvendësim i mirë për orizin.

Mishi: Mëlçia (e derrit, pulës, gjeldetit, lopës) është një burim i pasur i hekurit, por edhe mishi i pastër i kuq. . Trupi përmes këtij ushqimi më lehtë e absorbon hekurin, ndërsa do të siguroni dhe vitaminë B12. Për shembull, mëlçia e viçit ka më shumë se 600 për qind të nevojës tuaj të përditshme të hekurit dhe vitaminës B12. Duhet të bëni kujdes që të mos konsumoni shpesh mish të kuq, pasi është një nga ushqimet me riskun më të lartë për zhvillimin e kancerit të stomakut.

Perimet: Konsumoni kungull dhe fara kungulli. Spinaqin kurrsesi mos e anashkaloni, sepse është i pasur me një mori të vitaminave dhe ushqyesve. Nëse mund të gjeni hithra, kjo është një zgjedhje më e mirë. Ato kërkoni në vende të pastra dhe të pandotura. Edhe pse, është gjithashtu e dobishme të pini çaj nga hithrat, një filxhan në ditë. Domatet duhet të jenë më shumë zgjedhje për sallatë, sepse përmbajnë vitaminë C, e cila ndihmon në absorbimin e hekurit.

Frutat: Shega është plot me vitaminë C, A dhe E, fibra, kalium dhe hekur. Konsumojeni atë të freskët ose në formë të lëngut. Hani kajsi të thata, të cilat janë të pasura me hekur, por edhe rrush të thatë. Mund të konsumoni edhe fruta të pasura me vitaminë C, për t’u siguruar që trupi juaj mund ta përthithë më mirë hekurin nga zorra e hollë./Bota

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme