Shkalla e lartë e ndotjes së ajrit ka ndikuar në rritjen e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore, thonë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Numri i pacientëve është aq i madh sa që Qendra Klinike Universitare po ballafaqohet me mungesë shtretërish për t’i hospitalizuar të gjithë ata që kanë nevojë të shtrihen në spital, posaçërisht pacientët me sëmundje kronike të cilët i ka prekur më tepër ndotja e ajrit.
Rukije Mehmeti, pulmologe, tha për Radion Evropa e Lirë se fluksi i pacientëve është shtuar dukshëm ditëve të fundit. Ajo thotë se me probleme shëndetësore po përballen sidomos njerëzit me sëmundje kronike, të cilët nuk po mund ta durojnë një shkallë kaq të lartë të ajrit të ndotur.
“Mund të them se numri i të sëmurëve në klinikë, jo vetëm vizita ambulatore, por edhe rastet që kanë nevojë për hospitalizim është dyfishuar. Është një fatkeqësi që tash për tash nuk kemi mundësi që t’iu ofrojmë shtretër pacientëve aq sa kanë nevojë. Pacientët me sëmundje kronike po vijnë me gjendje të rëndë shëndetësore, ndonëse edhe fëmijët gjithashtu”, tha Mehmeti.
Në Klinikën e Pulmologjisë takuam qytetaren Linda Kastrati. Ajo kërkonte ndihmë për nënën e saj, e cila vuan nga një sëmundje kronike. Linda thotë se është mjaft e shqetësuar për nivelin e ndotjes së ajrit në kryeqytet, i cili, sipas saj, ka ndikuar në përkeqësimin e shëndetit të nënës së saj.
“Kam ardhur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës bashkë me nënën. Ajo e ka gjendjen e përkeqësuar shëndetësore, pikërisht për shkak të ajrit të ndotur. Ka probleme me mushkëritë dhe gjendja i është përkeqësuar ditëve të fundit”, tha ajo.
Gjendje më e mirë nuk është as në Klinikën e fëmijëve në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Aty, pediatri Muharren Avdiu thotë se numri i fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është rritur shumë ditëve të fundit. Njëherësh, ai beson se numri i pacientëve është rritur edhe për faktin se aktualisht në Kosovë ka raste të shtuara edhe nga sëmundja e gripit sezonal.
“Kemi ajër të ndotur, por ka edhe grip gjatë muajit janar të këtij viti. Kjo mjafton që pasojat të jenë evidente. Andaj, edhe shtimi i numrit të rasteve të fëmijëve që kërkojnë ndihmë mjekësore është evident. Raste fatale, fatmirësisht, nuk ka pasur. Por, bronkitet kronike janë më së shumti evidente në këto rrethana të krijuara”, tha Avdiu.
Një klinikë tjetër që po ballafaqohet me fluks të pacientëve është Klinika Infektive. Mungesa e shtretërve aty, ka bërë që shumë pacientë të trajtohen në mënyrë ambulatore dhe t’u përcillet gjendja shëndetësore. Kurse rastet e rënda dhe me komplikime shëndetësore, sipas infektologut Sali Ahmeti, tashmë janë të shtrira për mjekim.
“Ajri i ndotur pa diskutim se është një faktor shtesë në shfaqjen e infeksioneve, në mënyrë të veçantë të organeve respiratore. Këtë muaj kemi një shtim të numrit të pacientëve, ku këtu edhe viruset sezonale kanë ndikuar shumë. Kemi pasur edhe prekje të sistemit nervor, si meningjit, cefalit të natyrës virale, e që janë faktorë për përhapjen e infeksioneve të tilla”.
“Gjatë janarit jemi ballafaquar me probleme për pranimin e rasteve për shkak të fluksit, dhe ju japim përparësi rasteve të rënda, derisa të tjerët i trajtojmë në mënyrë ambulatore”, theksoi Ahmeti.
Sipas të dhënave zyrtare, ndotja e ajrit në Prishtinë ka arritur në nivele alarmante. Nisur nga ky fakt, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.
Sipas të dhënave të Agjensionit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane,ndotja është mbi vlerat e lejuara.
Ndërkohë që Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës kanë paralajmëruar se që nga dita e mërkurë, do të reduktohet qarkullimi i veturave në kryeqytet dhe do ndalohet shitja e thëngjillit që përdoret si lëndë djegëse, si masa që besohet se mund të ndikojnë sado pak në uljen e shkallës së lartë të ndotjes së ajrit./REL/
Juventus po planifikon ta transferojë yllin e Dortmundit
Vuçiq: Kosovën do ta çnjohin edhe shtete tjera
Putin thotë se bisedimet e mundshme me Ukrainën mund të mbah...
Liverpooli fiton ndaj Leicesterit dhe shkëputet në tabelë
Abdixhiku thotë se 40 mijë mërgimtarë e mbështesin LDK-në: S...
Sara në darkën e të nominuarve: Driloni është personi më i b...