Një studim i ri nga Kina tregon se nivelet e një antitrupi, të gjetur te pacientët me COVID-19, bien në mënyrë dramatike dy-tre muaj pas infektimit.
Studiuesit thonë se këto gjetje ngrenë pyetje për jetëgjatësinë e imunitetit të mundshëm kundër coronavirusit.
Studimi, i publikuar më 18 qershor në revistën Nature Medicine, mbështet argumentet e atyre që thonë se distancimi fizik dhe kufizimet e tjera për shëndetin publik duhet të zgjaten.
Ende nuk ka asnjë përgjigje përfundimtare nëse një pacient i rikuperuar nga COVID-19 mund ta kontraktojë sëmundjen për herë të dytë, ose për sa kohë mund të jetë imun.
Por, studimi i fundit nga Kina sugjeron se ideja e lëshimit të të ashtuquajturave “pasaporta imuniteti” për ata që kanë antitrupa, mund të jetë e rrezikshme sa i përket kontrollit të shpërthimeve të ardhshme të sëmundjes.
Disa vende e kanë hulumtuar idenë e lëshimit të dokumenteve të tilla për ata që dalin pozitivë në testet për antitrupa. Antitrupat mbeten në trup, pasi një person ka qenë i infektuar me coronavirus.
“Pasaportat e imunitetit” do t’iu lejonin njerëzve që të ktheheshin në punë – dhe madje edhe të udhëtonin – me supozimin se janë imunë ndaj virusit.
Antitrupi është një lloj specifik i proteinave që prodhohen në trupin e një personi dhe që i mundësojnë sistemit imunitar të identifikojë dhe kundërveprojë ndaj objekteve të huaja, siç janë viruset.
Që nga fillimi i pandemisë, shkencëtarët kanë studiuar nëse të gjithë të infektuarit me coronavirus prodhojnë antitrupa, përfshirë edhe ata me simptoma dhe ata që janë asimptomatikë.
Studiuesit gjithashtu kanë bërë përpjekje të përcaktojnë se sa kohë mbeten antitrupat te një pacient që është shëruar nga COVID-19.
“Gjithnjë e më shumë prova kanë treguar se individët asimptomatikë mund ta përhapin virusin në mënyrë efikase dhe se shfaqja e këtyre përhapësve të heshtur [të coronavirusit] ka shkaktuar vështirësi në kontrollin e epidemies”, kanë thënë studiuesit kinezë për revistën Nature Medicine.
Sipas tyre, të dhënat sugjerojnë se “individët asimptomatikë kanë një reagim më të dobët imunitar” ndaj infektimit me koronavirus dhe se zvogëlimi i “niveleve të antitrupave në fazën e hershme të rikuperimit mund të ketë pasoja për strategjinë e imunitetit dhe anketimet serologjike”.
“Këto të dhëna mund të tregojnë për rreziqet e përdorimit të ‘pasaportave të imunitetit’ për COVID-19 dhe të mbështesin zgjatjen e masave për shëndetin publik, përfshirë distancimin shoqëror, higjienën, izolimin e grupeve me rrezik të lartë dhe testimin e gjerë”, thuhet në studim.
Megjithatë, një studim tjetër nga hulumtuesit në Shtetet e Bashkuara sugjeron se edhe nivelet e ulëta të antitrupave mund të jenë të mjaftueshme për të mbrojtur një person nga coronavirusi.
Ky studim është botuar gjithashtu më 18 qershor në revistën Nature.
“Duket se madje edhe nivelet e ulëta të antitrupave kanë aftësi të fuqishme neutralizuese”, ka thënë për gazetën New York Times, Angela Rasmussen, virologe në Universitetin Columbia.
Por, ka shtuar ajo, nivelet e ulëta “nuk përcaktojnë domosdoshmërisht nëse një pacient do të mbrohet nga riinfektimi”.
Studimi në SHBA po ashtu tregon se njerëzit asimptomatikë e përhapin virusin kur infektohen dhe se ata e bëjnë këtë për kohë më të gjatë se pacientët që kanë simptoma.
Rasmussen ka thënë se kjo gjetje është interesante, sepse, “në fakt, mund të sugjerojë se pacientët asimptomatikë janë vërtet të aftë për të transmetuar virusin”.
Megjithatë, shkencëtarët thonë se nevojitet më shumë punë për të përcaktuar nëse njerëzit e tjerë mund të infektohen nga virusi që del nga transportuesit asimptomatikë.
Akiko Iwasaki, imunologe virale në Universitetin Yale, ka thënë se hulumtimet e mëtutjeshme duhet të sqarojnë nëse nga transportuesit asimptomatikë del virus infektiv ose mbetje joinfektive të virusit.
Sipas saj, studimet e fundit “nënvizojnë nevojën për të zhvilluar vaksina të forta” dhe që zyrtarët e shëndetit publik të harrojnë idenë se “imuniteti i tufës” mund të arrihet natyrshëm me kalimin e kohës.
“Imuniteti që zhvillohet natyrshëm gjatë infektimit është nënoptimal dhe jetëshkurtër te shumica e njerëzve. Ne nuk mund të mbështetemi te infeksioni natyror për të arritur imunitetin e tufës”, ka thënë Iwasaki. /REL/
Reagon legjenda e Hungarisë pas skenave rrëqethëse ku mbeti ...
Horoskopi ditor, çfarë kanë parashikuar yjet për ju
Sot seminari “Alfabeti Shqip dhe Identiteti Kombëtar”
OKB dënon sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës energjitike t...
Moti sot në Shqipëri
Institucioni i Avokatit të Popullit diskuton sot për shëndet...