5 antioksidantët më të mirë natyralë

10:26 | 17 Janar 2019
Arbresh.info

’Aty ku hyn dielli, nuk hyn mjeku”, por aty ku hyjnë antioksidantët natyralë nuk ka fare vend për medikamente! Sa herë ju ka ndodhur t’i jeni drejtuar mjekut të familjes apo farmacistit për dhimbjen, a problemin më të thjeshtë shëndetësor.

Të gjithë e bëjmë dhe është diçka normale. Por në vend që të shpenzoni para dhe të fusni në trupin tuaj helme të ndryshme kimike, provoni 5 ushqimet e mëposhtme të cilat shkatërrojnë bakteret dhe infeksionet më shumë se çdo gjë.

1.MJALTI MANUKA: Mjalti Manuka prodhohet në Zelandën e Re, nga nektari i pemës së manuka-s, emri shkencor i së cilës është Leptospermum scoparium. Ai është i pasur me amionacide, antioksidantë, përbërës me veti antiinflamatore, vitamina B1, B2, B3, B5 dhe B6, kalcium, fosfor, hekur, bakër, natrium, kalium, magnez dhe mangan etj, duke e shndërruar kështu në produktin çudibërës që duhet të ketë çdo konsumator në regjimin e tij ushqimor. Ai qetëson gastritin, forcon sistemin imunitar, trajton sinozitin kronik, qetëson kollën etj.

2.HUDHRA: Edhe pse aroma e saj nuk është aspak tunduese, hudhra është një ndër antibiotikët më të mirë natyralë që mund të zëvendësojë fare mirë ilaçet e shtrenjta. Ajo përmban substanca azotike, kalium, selen, kalcium, magnez, acid sulfurik dhe fosforik, vitamina C, D, B, më shumë se 400 përbërës mineralë të ndryshëm duke përfshirë këtu antioksiduesit, të cilët gëzojnë një sërë vetish pozitive terapeutike. Ndër përfitimet e saj kryesore si: çtoksikon trupin; përmirëson shëndetin e kockave, ul nivelin e kolesterolit të keq në gjak dhe lufton virozat e stinës.

3.KANELLA: Kanella është një ndër erëzat më popullore që prej shekujsh përdoret në kuzhinë, si në ëmbëlsira ashtu edhe në gatime të tjera duke ju dhënë atyre një aromë të mrekullueshme, por edhe duke ju sjellë njëkohësisht përfitime shëndetësore si: ndihmon në mirëfunksionimin e trurit dhe kujtesës; ul rrezikun e atakut në zemër; ndihmon në rënien nga pesha; përforcon sistemin imunitar dhe lufton papastërtitë e lëkurës.

4.QEPA: Qepa është një ndër perimet më të përdorura në shtëpi, mirëpo pakkush mund të dijë vlerat ushqyese që ajo ka.Përbërësit e saj prej squfuri mund të zvogëlojnë sasinë e kolesterolit dhe triglicerideve, dhe forcojnë membranën qelizore në qelizat e kuqe të gjakut. Ndihmon në uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe eliminon parazitët. Qepa ndikon pozitivisht te astma bronkiale dhe pagjumësia. Ajo ka në përbërje squfur dhe kuercetinë, dy antioksidantë që reduktojnë efektin e toksinave në trup. Qepët janë të pasura me vitaminat A dhe B si dhe minerale si potasium, kalcium, fosfor, selen dhe sodium. Në rastet e ftohjes, një gotë me lëng qepe e përzier me mjaltë është një ilaç i vërtetë.

5.UTHULLA E MOLLËS: Uthulla e mollës është një ndër ata produkte çudibërëse që nuk duhet të mungojë kurrë në kuzhinën tuaj, edhe pse përdorimet e saj duket se tejkalojnë hapësirën e gatimit dhe shijimit. E pasur me kalcium, magnez, potas, fluor, fosfor, vitamina A-B1-B2-B6, C dhe E, acid cetik, pektinë, beta-karoten etj, ky produkt është pa diskutim një depo vlerash ushqyese që duhet të përdorni herë pas here në ritualin e përkujdesjes së fytyrës dhe trupit, ndihmon në rënien nga pesha duke shpërbërë yndyrën, ul inflamacionin etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme