Përhapja e shpejtë e pandemisë së koronavirusit të ri është një çështje serioze. Në më pak se dy muaj, virusi është përhapur në disa kontinente. Pandemi do të thotë transmetim i qëndrueshëm dhe i vazhdueshëm i sëmundjes, njëkohësisht në më shumë se tre rajone të ndryshme gjeografike. Pandemia nuk i referohet vdekshmërisë së një virusi, por transmetueshmërisë së tij dhe shtrirjes gjeografike.
Njerëzit janë duke përjetuar frikë të pandemisë. E gjithë media anembanë planetit është kapluar nga tema e koronavirusit. Deri tani ekziston një shqetësim i thellë dhe planifikim masiv për skenarët më të këqija të mundshme. Dhe, natyrisht, pasojat kalojnë nga sfera globale e shëndetit në biznes dhe politikë.
Por, është gjithashtu e rëndësishme të mos bëjmë panik. Do të ishte e gabuar të themi se ka lajme të mira nga COVID-19, por ka arsye për optimizëm; arsye për të menduar se mund të ketë mënyra për ta përmbajtur dhe mposhtur virusin. Gjithashtu ka mësime për të mësuar për të ardhmen.
1. Ne e dimë se çfarë është
Rastet e para të SIDA-s u përshkruan në qershor të vitit 1981 dhe u deshën më shumë se dy vite për të identifikuar virusin (HIV) që shkakton sëmundjen. Me COVID-19, rastet e para të pneumonisë së rëndë u raportuan në Kinë më 31 dhjetor 2019 dhe deri më 7 janar virusi ishte identifikuar tashmë. Gjenomi ishte në dispozicion në ditën e 10-të.
Tashmë e dimë se është një koronavirus i ri nga grupi 2B, me të njëjtën familje si SARS, të cilin ne e kemi quajtur SARSCoV2. Sëmundja quhet COVID-19. Mendohet se ka të bëjë me koronavirusin nga lakuriqët. Analizat gjenetike kanë konfirmuar se ajo ka një origjinë natyrore të kohëve të fundit (midis fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit) dhe se, megjithëse viruset jetojnë me mutacion, shkalla e mutacionit të tij mund të mos jetë shumë e lartë.
2. Ne tashmë dimë se si ta zbulojmë virusin
Që nga 13 janari, është në dispozicion testi për të zbuluar virusin.
3. Situata po përmirësohet në Kinë
Masat e forta të kontrollit dhe izolimit të vendosura nga Kina po shpaguhen. Prej disa javësh, numri i rasteve të diagnostikuara çdo ditë po zvogëlohet. Një përcjellje shumë e detajuar epidemiologjike po kryhet edhe në vende të tjera; shpërthimet janë shumë specifike për zonat, të cilat mund të lejojnë që ato të kontrollohen më lehtë.
4. 80% të rasteve janë të lehta
Sëmundja nuk shkakton simptoma ose është e lehtë në 81% të rasteve. Sigurisht, në 14% mund të shkaktojë pneumoni të rëndë dhe në 5% mund të bëhet kritike apo edhe fatale. Ende është e paqartë se cila mund të jetë shkalla e vdekshmërisë. Por, mund të jetë më e ultë se disa vlerësime të gjertanishme.
5. Njerëzit po shërohen
Pjesa më e madhe e të dhënave të raportuara kanë të bëjnë me rritjen e numrit të rasteve të konfirmuara dhe numrin e vdekjeve, por shumica e personave të infektuar shërohen. Ka 13 herë më shumë raste të kuruara (mjekuara me sukses) sesa vdekje, dhe ky proporcion po rritet.
6. Simptomat tek fëmijët janë më të lehta
Vetëm 3% e rasteve shfaqen tek personat nën 20 vjeç, dhe vdekshmëria nën 40 vjeç është vetëm 0.2%. Simptomat janë aq të lehta tek fëmijët, sa që mund të kalojnë pa u vënë re.
7. Virusi mund të pastrohet
Virusi mund të deaktivizohet në mënyrë efektive nga sipërfaqet me një zgjidhje të etanolit (62-71% alkool), peroksid hidrogjeni (0, 5% peroksid hidrogjeni) ose hipoklorit natriumi (0,1% zbardhues), në vetëm një minutë. Larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë është mënyra më efektive për të shmangur ngjitjen.
8. Shkenca po e hulumton në mënyrë globale
Tashmë është epoka e bashkëpunimit ndërkombëtar shkencor. Pas përafërsisht një muaji, 164 artikuj mund të qasen në PubMed për COVID19 ose SARSCov2, si dhe shumë të tjerë të disponueshëm në depot e artikujve që ende nuk janë shqyrtuar. Janë vepra paraprake mbi vaksinat, trajtimet, epidemiologjinë, gjenetikën dhe filogjeninë, diagnozën, aspektet klinike, etj.
Këta artikuj janë shkruar nga rreth 700 autorë, të shpërndarë në të gjithë planetin. Është shkencë bashkëpunuese, e përbashkët dhe e hapur. Në vitin 2003, me epideminë SARS, u desh më shumë se një vit për të arritur më pak se gjysmën e këtij numri artikujsh. Për më tepër, shumica e revistave shkencore kanë lënë botimet e tyre si qasje të hapur në temën e koronaviruseve.
9. Tashmë ka prototipe të vaksinave
Aftësia jonë për të krijuar vaksina të reja është e jashtëzakonshme. Tashmë janë duke u zhvilluar më shumë se tetë projekte duke kërkuar një vaksinë kundër koronavirusit të ri. Ka grupe që punojnë në projekte vaksinimi kundër viruseve të ngjashme.
Grupi i vaksinave të Universitetit të Queensland, në Australi, ka njoftuar se tashmë është duke punuar në një prototip duke përdorur teknikën e quajtur “kapës molekular”, një teknologji e re. Ky është vetëm një shembull që mund të lejojë prodhimin e vaksinave në kohë rekorde. Prototipet së shpejti mund të testohen te njerëzit.
10. Testimet antivirale janë duke u zhvilluar
Vaksinat janë parandaluese.
Tani për tani, trajtimi i njerëzve që janë të sëmurë është i rëndësishëm. Tashmë ka më shumë se 80 prova klinike që analizojnë trajtimet e koronavirusit. Këto janë antivirale që janë përdorur për infeksione të tjera, të cilat tashmë janë aprovuar dhe që dihet se janë të sigurta.
Një nga ato që është testuar tashmë te njerëzit është remdesivir, një antiviral me spektër të gjerë ende nën studim, i cili është testuar kundër Ebola dhe SARS / MERS.
Një tjetër produkt është chloroquine, një antimalarik që gjithashtu është parë të ketë një aktivitet të fuqishëm antiviral. Dihet që klorokina bllokon infeksionin viral duke rritur pH e endozomit, i cili është i nevojshëm për shkrirjen e virusit me qelizën, duke penguar kështu hyrjen e tij. Është demonstruar se kjo përbërje bllokon koronavirusin e ri in vitro dhe tashmë po përdoret në pacientët me pneumoni të koronavirusit.
Testimet e tjera të propozuara bazohen në përdorimin e oseltamivir (i cili përdoret kundër virusit të gripit), interferon-1b (proteina me funksion antiviral), antisera nga personat që u rikuperuan ose antitrupa monoklonal për të neutralizuar virusin. Terapitë e reja janë propozuar me substanca frenuese, të tilla si barictinibine, të zgjedhura nga inteligjenca artificiale (selected by artificial intelligence).
Pandemia e gripit të vitit 1918 shkaktoi më shumë se 25 milion vdekje në më pak se 25 javë.
A mund të ndodhë diçka e ngjashme tani? Me siguri JO; ne kurrë nuk kemi qenë më të përgatitur për të luftuar një pandemi.
(Përkthyer dhe përshtatur nga Dr. Arbëresha Turjaka)
ShBA: Transferimi i pushtetit, çfarë pritet të ndodhë?
Dalin në shitje biletat për ndeshjen Kosovë – Lituani
Fitorja e Trumpit ndikoi edhe në çmimin e naftës
Çfarë do të thotë fitorja e Trumpit për dialogun Kosovë-Serb...
Serbia dëbon dy zviceranë, bënë me duar shqiponjën
“Foto e ditës”, Edi Rama shfaqet pranë liderëve të Turqisë, ...