Ky studim është publikuar në revistën shkencore “Neuron” nga neuro-shkencëtarët e Universitetit të Torontos në Kanada dhe ndryshon radikalisht konceptimin e memories, jo më si aftësia për të ruajtur një numër gjithnjë e më të lartë të informacioneve në kohë, por si aftësia për të ditur të harrojë gjërat më pak të dobishme.
“Duke analizuar studimet më të fundit shkencore, kemi gjetur shumë prova që tregojnë ekzistencën e mekanizmave që nxisin humbjen e kujtimeve dhe që duket se janë të ndryshme nga ato që janë të përfshira në magazinimin e informacioneve”, ka thënë njëri prej autorëve të këtij studimi, Paul Frankland.
Për shembull, një prej mekanizmave të individualizuar shërben për të dobësuar ose eliminuar lidhjet mes neuroneve që ruajnë kujtimet.
Por, ka edhe një mekanizëm të dytë që konsiston në prodhimin e neuroneve të reja në pjesën e memories, në hipokampus, bën të mundur që këto neurone të reja të rimodelojnë ose mbishkruajnë kujtimet e vjetra, duke i bërë edhe më të vështira për t’u arritur.
Ky fenomen mund të shpjegojë edhe arsyen përse fëmijët, që prodhojnë vazhdimisht neurone të reja në hipokampus, përfundojnë duke harruar shumë gjëra.
Ndonëse mund të duket një kontradiktë që truri të harxhojë gjithë këto energji për të harruar, në të vërtetë e bën për të eliminuar informacionet e vjetra që nuk përdoren dhe për të mos u humbur në detaje të panevojshme, madje këto parime përdoren edhe në mënyrën e funksionimit të inteligjencës artificiale./Arbresh.info/