Google ADS

Zyrtarizmi i shqipes, Ivanov hesht për ligjin

20:08 | 23 Nëntor 2018
Arbresh.info

Kryetari nuk heq dorë nga vendimi për mos dekretimin e ligjit mbi përdorimin e gjuhëve, edhe pse një ditë më parë uroi shqiptarët duke thënë se gjuha shqipe është pjesë e rëndësishme e shoqërisë.

Të pyetur nga Alsat M se pse presidenti bllokon ligjin, meqë gjuha qenka pjesë e rëndësishme e shoqërisë, heshtje në kabinetin e tij. Partitë në pushtet mbeten në qëndrimin se ekzistojnë mundësi alternative që ligji të hyjë në fuqi edhe pa nënshkrimin e Ivanovit. Deputeti i LSDM-së, Kostadin Kostadinov paralajmëron iniciativë në Gjykatën Kushtetuese për mos dekretimin e ligjit. Për procedura tjera Kostadinov hedh topin te kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

“E mbështetëm dhe e mbështesim këtë ligj, sepse sinqerisht besojmë se është në funksion të realizimit të konceptit “Një shoqëri për të gjithë”, që është prioritet për të gjithë ne dhe gjithë qytetarët e RM-së. Një nga mekanizmat është të ngremë iniciativë në Gjykatën Kushtetuese ta rishqyrtojë kushtetutshmërinë në vendimin e Gjorge Ivanovit dhe gjithsesi mekanizmat tjera juridike janë në duar të Kuvendit, për të cilat mekanizma presim përgjigje më kompetente të jep Kryetari i Kuvendit” tha Kostadin Kostadinov, Zëdhënës i LSDM-së.

Edhe në kabinetin e kryeparlamentarit Xhaferi sot heshtje. Më herët vet Xhaferi kishte deklaruar se për shpalljen e ligjit në Gazetën Zyrtare do të pritet momenti i përshtatshëm. Jozyrtarisht nuk përjashtohet mundësia që shpallja e ligjit kryetarin Ivanov ta gjejë të papërgatitur. Nga partia e integristëve pa sqaruar se si dhe kur do ta fuqizojnë ligjin i cili u miratua në mars, shprehen të prerë se barazia gjuhësore është e pashmangshme.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është votuar dhe miratuar në Kuvend nga përfaqësuesit e popullit me shumicë të kualifikuar. Jemi dëshmitarë të shumë proceseve të rëndësishme që po zhvillohen në Maqedoni, përfshirë edhe barazinë gjuhësore. Me ose pa Ivanovin, barazia gjuhësore është e pashmangshme”

Kryetarit Ivanov mandati i skadon në mars të vitit të ardhshëm. Mbetet të shihet nëse partitë në pushtet do të marrin ndonjë masë para se Ivanovit t’i përfundojë mandati, apo çështjen do ta trashëgojë presidenti i ardhshëm i vendit. Ligji i gjuhëve ka kaluar tre filtrat në Kuvend./Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme