Zoran Zaev tetë muaj më parë kundërshtonte ashpër amnistinë

16:16 | 2 Janar 2019
Arbresh.info

Kryeministri Zoran Zaev para tetë muajve ishte shprehur kundër amnistimit të personave të akuzuar për ngjarjet e 27 prillit. Ai në një konferencë për shtyp para tetë muajve është pyetur në lidhje me këtë dhe ka deklaruar se nëse një gjë e tillë ndodh, së pari do t’i dalin kundër anëtarët e qeverisë, më pas gazetarët dhe kameramanët dhe në fund edhe qytetarët.

Por, tetë muaj pas deklaratave të këtilla realiteti u bë krejtësisht ndryshe. Refuzimin kategorik fillestar të kësaj ideje, papritmas Zoran Zaev filloi ta proklamonte si një domosdoshmëri dhe para vitit të ri hyri në fuqi.

Dëshira më e madhe e Vitit të Ri për lirinë e 20 të pandehurve për “27 Prillin” tashmë u bë realitet. Në vitin e ri 2019, ata hyjnë të liruar nga barra e ndjekjes penale. Pak para vitit të ri, u amnistuan 5 persona, përfshirë Angele Zafirovskin – i njohur si Bate Gele. Informatat më të fundit nga gjykata janë se kërkesat e 9-të, të pandehurve që kërkuan amnisti janë refuzuar si të pabaza dhe ata kanë të drejtë të ankohen brenda 3 ditëve në Gjykatën e Apelit.

Nga Apeli nuk ka informata për atë sa ankesa në total janë paraqitur nga avokatët e të përfshirëve në ngjarjet e së enjtes së përgjakshme. Tashmë nesër, me shumë gjasa, pasi gjyqtarët do të kthehen në punë pas festave, do të dihet numri i saktë dhe do të ketë vendime pas parashtrimit të ankesave.

Deri tani, dihet se ankesa kanë paraqitur avokatët e Goran Gjoshevskit, sigurimi i ish-kryetarit të Kuvendit Trajko Veljanovski, Goranko Angelovski-Qoseto, Aleksandar Vasilevski-Ninxha, Munir Pepiq dhe Mitko Peshov. Amnisti nuk kanë kërkuar ish-drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike, Mitko Çavkov, kujdestari në selinë operative të MPB-së Dushko Lazarov, këngëtari i operës Igor Durllovski, pastaj të pandehurit Igor Jug dhe Jane Çento.

Për ta, gjykimi vazhdon më 15 janar kur do të jepen edhe fjalët përmbyllëse. Kjo është edhe dita kur në parim duhet të votohen ndryshimet kushtetuese që u mbështetën nga ligjvënësit tani të amnistuar, të cilët u akuzuan për kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues – Krsto Mukovski, Luben Arnaudov dhe Sasho Vasilevski./Telegrafi/Alsat/

https://www.youtube.com/watch?v=tgpJSp2gd9U

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme