Zhvillimet në Kuvend nuk cenojnë negociatat për zgjedhjet presidenciale

08:51 | 26 Shkurt 2019
A. B.

Zhvillimet në Kuvend nuk kanë reflektuar në negociatat për gjetjen e kandidatit të përbashkët për president. Sipas kryeministrit Zoran Zaev, gabimet e përditshme nuk guxojnë t’i cenojnë interesat globale të Maqedonisë së Veriut.

“Këto lëshime që po ndodhin janë përditshmëri dhe sigurisht që duhet t’i zgjidhim. Nuk guxojnë në asnjë mënyrë t’i cenojnë interesat globale aq të rëndësishme për qytetarët, shtetin dhe subjektet politike. Pres që procesi të vazhdojë me qëllim që të rreshtohemi pas një kandidati të përbashkët për president”, tha Zoran Zaev.

Deputeti i BDI-së Artan Grubi, thotë se marrëdhëniet BDI-LSDM janë në nivelin e duhur.

“Nuk ka asnjë përçarje në koalicionin qeverisës. Sot jam takuar me përfaqësues të LSDM-së dhe do të takohem edhe gjatë ditës. Vlerësoj se punët vijojnë në mënyrë të duhur dhe nuk duhet pasur asnjë ndikim në marrëdhëniet midis LSDM-së dhe BDI-së”, theksoi Artan Grubi.

Bazuar në zhvillimet brenda koalicionit parlamentar, kreu i ASH-së, Ziadin Sela ka ndarë mendjen që të mos takohet me kryeministrin Zaev për kandidatin presidencial.

“Një gjë të jeni të sigurt, të përbashkët Ziadin Sela dhe ASH, sidomos pas ndodhive të mbrëmshme me Ali Ahmetin dhe BDI-së nuk mund të ketë dhe gjithsecilin i cili është në lojë me Ali Ahmetin dhe BDI-në”, pohoi Ziadin Sela.

Kryeministri Zaev paralajmëroi që deri në fund të javës do të dihet emri i kandidatit konsensual. Në takimet e deritanishme nuk është folur për emra konkret edhe pse jo zyrtarisht, në bisedime është favorizuar emri i Stevo Pendarovskit. Zgjedhjet presidenciale do të mbahen më 21 prill./Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme