Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj 2024, së bashku me rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit e vendit do të zhvillohet më 24 prill.
Kështu kanë vendosur të hënën partitë politike në një takim që ishte thirrur nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, njëherësh kryetari i Lidhjes Social Demokrate në pushtet.
“Duke pasur parasysh afatet ligjore dhe festat fetare që janë në këtë periudhë, ne u pajtuam për këto data të zgjedhjeve. Më në fund, pas 17 vjetëve do të kemi zgjedhje të rregullta parlamentare dhe kjo flet për politika të mira të Qeverisë”, tha Kovaçevski.
Njëqind ditë para zgjedhjeve, ose më 28 janar, do të formohet një qeveri teknike e kryesuar nga një kryeministër shqiptar, i cili do të propozohet nga partia Bashkimi Demokratik për Integrim, që drejtohet nga Ali Ahmeti.
VMRO DPPMNE-ja kishte kërkuar që të mos ketë qeveri teknike, e cila po praktikohet në tri ciklet e fundit zgjedhore bazuar në atë që njihet si “marrëveshja e Përzhinës”.
“Çështja e qeverisë teknike u hap në këtë takim, dhe nga ajo që u dëgjua nuk ekziston konsensus që të shlyhet qeveria teknike, edhe pse ne si opozitë e kemi kërkuar një gjë të tillë”, tha kryetar i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Kovaçevski tha se në takim me partitë politike kishte “konsensus jashtëzakonisht të gjerë” për vërejtjet për legjislacionin zgjedhor, përkatësisht për ndryshimet në Kodin Zgjedhor në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR, që kanë të bëjnë me financimin e partive dhe çështje tjera për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Por, opozita shqiptare u largua nga mbledhja pas braktisjes së saj nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, i cili sipas partive opozitare “nuk kishte dashur të bisedonte lidhur me kërkesa e opozitës që të jetë të përfaqësuar me një anëtar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve”.
Opozita shqiptare, që përbehet nga tri parti politike, kërkoi zgjedhje të parakohshme, pra, para datës tashmë të caktuar nga partitë e tjera, por kërkesa e tyre nuk u mor parasysh nga partitë e tjera.
Data e zgjedhjet pritet të dekretohet më së voni deri në fund të muajit dhjetor.
Edhe pse caktimi i datës për mbajtjen e zgjedhjeve të reja shuan tashmë të gjitha shpresat për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, kryeministri Kovaçvski ftoi partitë që të përmbushin këtë detyrim nga i cili varet integrimi i vendit në Bashkimin Evropian.
Ndryshimet kushtetuese duhet të miratohen deri para samitit të BE-së në këtë muaj që të mund të nisin bisedimet për anëtarësim në bllok.
Ato kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e kushtetutës, si popull shtetformues, bazuar në marrëveshjen me Bullgarinë për zgjedhjen e kontesteve për gjuhën dhe identitetin maqedonas.
“Çdo vonesë në fillimin e negociatave me BE-në dhe vënia në harresë e këtij procesi dhe anëtarësimit tonë të plotë në BE është një vendim politik jashtëzakonisht i papërgjegjshëm dhe i rrezikshëm”, tha Kovaçevski./rel
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...