Google ADS

Zgjedhjet lokale do të gjenerojnë zgjedhje parlamentare pavarsisht rezultatit të partive

22:51 | 13 Shtator 2017
Arbresh.info

Skena politike në Maqedoni do të ketë turbulenca dhe lëvizje tektonike pas zgjedhjeve lokale të 15 tetorit. Pritet të ketë ndryshime të konsiderueshme në udhëheqjen e komunave, që do të jenë indikatorë relevantë për strukturën e re të forcave politike në këtë vend. Ky raport i ri i forcave politike do të shkaktojë në njërën anë eufori, ndërsa në anën tjetër dëshpërim, por, me gjithë këtë, kjo diskrapancë e ndarjes së pushtetit lokal, njësoj do t’i motivojë taborët për mobilizim politik dhe përgatitje për zgjedhje të ardhshme eventuale të parakohshme parlamentare në pranverë apo në vjeshtë të vitit të ardhshëm, thonë analistët për Zhurnal.mk

“Në këtë rrafsh, më shumë ndikim të do të kenë partitë politike maqedonase, ndërsa ato shqiptare vetëm që do t’i përcjellin ecuritë politike që pritet të imponohen. Nëse LSDM-ja, si parti që aktualisht e ka pushtetin qendror, drejtuar nga kryeministri Zoran Zaev, fiton në zgjedhjet lokale shumicën e komunave, do të dëshirojë të marrë sa më parë verdiktin e popullit, në zgjedhje eventuale të parakohshme parlamentare për dy qëllime: një, që të lirohet nga ky ngërç i qeverisë së brishtë, me pretendime për të fituar më shumë mandate dhe, dy, që menjëherë pas zgjedhjeve eventuale të parakohshme parlamentare të shpallë referendum për ndryshimin e emrit të Maqedonisë (të cilën gjë nuk do të guxonte ta bëjë para zgjedhjeve të këtilla), që do t’i hapte shteg për hyrje të vendit në NATO”, thotë Ismail Arsllani, analist politik për Zhurnal.mk

Sipas tij, nëse kjo qeveri e Zaevit arrin në ndërkohë të hyjë në NATO me referencën ekzistuese IRJM, për çka mund t’i bëhet ndonjë koncesion, madje edhe nga Greqia, e cili heshtur po i zbut qëndrimet, atëherë Zaevi mbase do t’i refuzojë zgjedhjet eventuale të parakohshme që do t’i kërkojë opozita (VMRO-DPMNE), me qëllim të rikthimit në pushtet.

“Kjo opozitë, nëse në ndërkohë nuk reformohet dhe nuk spastron radhët brenda partisë, atëherë, ashtu e rraskapitur, nuk do të ketë forcë politike për t’i imponuar partisë në pushtet zgjedhje të parakohshme”, nënvizon Arsllani.

Nga ana tjetër, profesori universitar, Sabaudin Zhuta thekson se Maqedonia, edhepse me një koalicion qeverisës të ri e në krye me LSDM-në, me një formacion qeverie  poashtu tjetërfare dhe gati gjysëm të vjetër, vështirë po gjen rrugën e mëkëmbjes.

“Nuk po them se ndoshta po përballet me obstrukcione të brëndshme por duket qartë se ndryshimet me ngadalsime po ndodhin. Planifikimet e Premierit Z.Zaev nuk japin pritshërinë e qytetarëve të etur për ndryshime. Kjo flet qartë se ish sistemi i Gruevskit është i shtrirë thell e gjërë në institucionet e shtetit dhe që në fakt po has në një bllokazhë vështir të tejkalueshme. Tani që jemi në prag të zgjedhjeve lokale të 15 tetorit, situata bëhet gjithnjë e më e vështirë për të paragjykuar se çka dhe si do zhvillohen punët pas tyre. Mendoj se katalizator dhe determinues postzgjedhor, do jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve por në veçanti edhe profunkcionimi i punës hetimore të Prokurisë Speciale Publike në kohë sa më urgjente”, thekson Sabaudin Zhuta, profesor universitar për Zhurnal.mk

Nëse do vihet në funkcionim, shton ai, sistemi i drejtësisë dhe e drejta e munguar gjyqësore gjen aplikim, at’her hapen opsione e perspektiva të reja, e kjo don të thotë shkapërderdhjen e ish sistemit krimogjen dhe çbllokimin e shantazheve ne institucionet e shtetit.

“Kjo do të nënkupton përforcim komplet të qeverisjes aktuale dhe se zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të pasojnë ne kohën rregullare”, analizon profesor Zhuta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme