Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vazhdojnë së bashku rrugën e integrimit evropian, apo njëkohësisht t’i nisin bisedimet për anëtarësim në BE, tha kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, pas takimit të hënën në Bruksel me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Zaev, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve MIA, tha se ndarja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk është në interesin e askujt.
Siç transmeton MIA, Zaev i tha presidentes së KE-së se “identiteti dhe gjuha nuk duhet të jenë objekt i negociatave me BE-në në asnjë rrethanë”.
“Është në interesin tonë të ecim së bashku. Interesi i Shqipërisë është të shkojmë së bashku, të ndihmojmë njëri-tjetrin së bashku gjatë gjithë këtij procesi… Ne e meritojmë nisjen e bisedimeve si askush tjetër. Gjashtëmbëdhjetë vjet jemi me statusin e shtetit kandidat, tre vjet pas Marrëveshjes së Prespës, njëqind ditë pas reformave të përfunduara. Këto, në vitin 2020, u konfirmuan plotësisht nga 27 vendet anëtare të Unionit. Ne vazhdojmë të forcojmë shtetin e së drejtës, e shohim atë çdo ditë në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, e cila nuk është e lehtë për asnjë qeveri në botë, nuk është as për ne, por është e ardhmja evropiane”, tha Zaev.
Javën e kaluar, komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, nuk e ka përjashtuar mundësinë që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut, apo e para t’i nisë bisedimet e anëtarësimit në BE, edhe pse zyrtarë të lartë evropianë disa herë kanë theksuar se dy shtetet duhet në bllok t’i hapin bisedimet e anëtarësimit.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer, tha për agjencinë MIA se në takimin me kryeministrin Zaev, presidentja e KE-së, von der Layen, përsëriti mbështetjen e saj për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut.
Për këtë gjë, BE-ja ka dhënë dritën jeshile më shumë se një vit më parë, por negociatat nuk kanë mundur të nisin për shkak të vetos së Bullgarisë.
“Ajo riafirmoi mbështetjen e saj për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe mirëpriti reformat në Maqedoninë e Veriut në kuadër të procesit të anëtarësimit dhe i inkurajoi ata të vazhdojnë me reformat”, tha Mamer.
Sipas tij, presidentja e Komisionit Evropian inkurajoi Bullgarinë dhe Maqedoninë e Veriut që t’i zgjidhin mosmarrëveshjet, në mënyrë që të zhbllokohet procesi integrues.
Në nëntor të vitit të kaluar, Sofja ka përdorur veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke e kushtëzuar me zgjidhjen e dallimeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin maqedonas.
Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti kanë “rrënjë bullgare”.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...