Sistemi gjyqësor, shërbimet e sigurisë dhe të zbulimit, administrata publike dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë fushat të cilat janë në fokusin e reformave të përfshira në Planin 18, i cili është përpiluar në maj, ndërsa në Qeveri u miratua më datë 30 të muajit të kaluar.
Plani 18 është vazhdim i reformave të cilat u zbatuan në Planin 3-6-9. Me të vazhdon miratimi i ligjeve, por në të përfshihen të gjitha rekomandimet nga raporti i KE-së.Plani 18 nuk fokusohet vetëm në kriteret politike, por edhe ato ekonomike.
Për Planin 18 sot në brifingun në Qeveri folën kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Evropiane, Bujar Osmani, ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës Publike, Damjan Mançevski.
“Jemi plotësisht të përkushtuar në reformat. Kjo nuk është e rëndësishme vetëm për qytetarët, këtë proces e ndjek edhe Komisioni Evropian dhe prej nesh presin rezultate. Reformat, të cilat i hapëm janë në fushat të cilat janë paralajmëruar në raportin përfundimtar për Maqedoninë”, theksoi kryeministri.
Vendosja e sistemit të drejtësisë në një nivel të lartë, në të cilin do të ketë respektim të garantuar për të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë të të gjithë qytetarëve, rikthimin e besimit në institucionet, shërbime të sigurisë-zbulimit të përgjegjshme të cilat në fokus do ta kenë mbrojtjen e shtetit dhe sigurinë e qytetarëve, administratë publike të depolitizuar, kapacitete të përgatitura për negociata me BE-në, institucione përgjegjëse, llogaridhënëse dhe transparente, servise efikase dhe kujdes për qytetarët dhe bizneset, si dhe luftë të përforcuar kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, posaçërisht përmes pavarësimit financiar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit dhe çlirimin e tij nga ndikimi politik.
Këto janë përfitimet nga reformat të cilat shkurt i sqaroi kryeministri Zaev, i cili tha se të gjitha këto masa duhet të sjellin vlera të reja në sistemin tonë, të cilat paralelisht me procesin politik me të cilin zhvillohen, ndërsa i cili ka të bëjë me implementimin e Marrëveshjes së Prespës dhe ndryshimet e ardhshme kushtetuese, në fund do të sjellin jetë më të mirë në Maqedoni.
Osmani, i cili është koordinator i këtij mekanizimi sqaroi se punon për një proces të gjerë konsultativ dhe participues në të cilin janë të përfshira të gjithë faktorët relevant, mes të cilëve edhe sektori civil.
Përmendi se me sektorin civil janë realizuar dy takime konsultative dhe prej tyre janë marrë vërejtje me shkrim të cilat janë të përfshira posaçërisht në definimin e modelit për ndjekjen e reformave, indikatorët për realizimin e masave konkrete dhe implementimin e tyre në praktikën e përditshme të këtyre ligjeve.
“Bëmë përpjekje ta kyçim edhe opozitën”, tha Osmani, duke përkujtuar se ai personalisht është takuar kur ka filluar përpilimi i projekt versionit, por siç tha për fat të keq deri tani nga ajo nuk kanë marrë vërejtje me shkrim.
Shtoi se sërish do të përpiqen ta kyçin, me qëllim që ky projekt të bëhet inkluziv edhe nga aspekti politik.
Ministri Spasovski duke folur për reformat e shërbimeve të zbulimit dhe të sigurisë theksoi se reformat janë në fazën e dytë, pasi tanimë është formuar Agjencia tekniko-operative, e cila do të jetë ndërmjetësuese në procesin e përgjimit dhe funksionon si Agjenci e posaçme e cila është jashtë DSK-së.
“Nuk ekziston mundësi teorike, as praktike për keqpërdorim të masave të posaçme hetimore. Me përgjegjësi konsideroj se bombat nuk do të përsëriten”, tha Spasovski.
Tani, shtoi ai, kryeson reforma e DSK-së, është formuar një grup ndër-dikasterial. Deri më 15 nëntor Qeverisë duhet t’i ofrohet një nga tre modelet për atë se si do të funksionojë kjo Drejtori.
“Kemi nevojë për model të mirë, i cili do të ofrojë sistem efikas për mbrojtje të sigurisë kombëtare, funksionimin e shërbimeve në përputhje me standardet dhe rregullat ndërkombëtare, për të vepruar i lirë nga ndikimet politike, të maksimizohet efikasiteti i tij me metoda të reja të punës të cilat do të fokusohen në parandalimin e formave të reja të kërcënimeve”, tha Spasovski.
Ministri kujtoi se është formuar qendra kombëtare koordinuese për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, e cila është operative dhe tani po punohet në rritjen e resurseve njerëzore dhe teknike. Është duke u përgatitur edhe një zgjidhje softuerike për komunikim të sigurt dhe përcjellje e sigurt e të dhënave midis institucioneve me qëllim që kjo luftë të jetë e suksesshme.
Spasovski shtoi se po punohet edhe në përforcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimin e pronës.
“Në Republikën e Maqedonisë, këtu nuk ka asnjë rezultat. Gjatë periudhës së kaluar vetëm në tre raste është konfiskuar pronë. Lufta kundër krimit mund të jetë efikase dhe ajo që është fituar me paratë kriminale duhet të merret nga shteti”, shtoi ai.
E paralajmëroi edhe procesin e vetingut, i cili së shpejti do të fillojë, ndërsa i cili ka për qëllim të kthejë reputacionin e MPB-së, profesionalizëm të plotë dhe dekriminalizimin e policisë.
Sipas ministres së Drejtësisë Renata Deskoska, nuk ka asnjë vonim në pjesën e reformave në gjyqësi me ligjet e parapara.
“Për reformat në gjyqësor, në përputhje me planin e miratuar duke e pasur parasysh ngecjen e Kuvend për shkak të referendumit, afati është në fillim të vitit të ardhshëm. Ne tashmë jemi gati, tani do t’i kalojmë ligjet dhe shpresoj se Kuvendi do të mbledhë fuqi që t’i sjellë deri në fund të vitit”, tha Deskoska, duke shtuar se ligji kushtetues, nga ana tjetër, do të duhet praktikisht t’i operacionalizojë amendamentet.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski theksoi se kanë filluar aktivitetet që vijojnë dhe do të mundësojnë shërbime më të mira për qytetarët, administratë të depolitizuae, kapacitete të ndërtuara institucionale, koordinim më të mirë dhe mënyrë të punës nga ana e institucioneve me nevojat TIK…
“Është miratuar strategjia për reforma të administratës me Planin e aksionit me masa dhe buxhet konkret. Me analizën horizontale funksionale e cila bëhet për herë të parë, do të pasojë riorganizimi dhe optimizimi i administratës. Për rezultatet nga analiza ka plan konkret të aksionit me masa dhe afate konkrete. Atje ku analiza do të tregojë, mund të hiqen institucione të caktuara, disa të bashkohen, të formohen të reja. Në pjesën më të madhe kjo do të thotë optimizim i sektorit publik posaçërisht në pjesën e strukturave menaxhuese. Askush nuk do ta humbë punën, ndërsa disave do t’u ofrohet angazhim në sektorin privat”, tha Mançevski.
Ai sqaroi se për depolitizim të administratës do të ketë ligj të ri për shërbim administrativ, me ç’rast do të dihet se çka është një individ i angazhuar politikisht, e çka profesional. Zgjedhja e tyre do të jetë me kritere dhe kompetenca të larta, të cilat do të duhet t’i përmbushin edhe personat e emëruar aktualë.
Pason hapja e zyrës së parë për një pikë të shërbimeve në Shkup, ndërsa vitin e ardhshëm edhe në dhjetë qytete, ndërsa në drejtim të shërbimeve më të mira është edhe funksionimi i sistemit nacional të shërbimeve elektronike.
Njëherit do të punohet edhe në avancimin e parimit për përfaqësim adekuat dhe të drejtë.
“Më shumë në institucionet e sektorit publik nuk do të ketë njerëz të cilët nuk do të shkojnë në punë, ndërkaq do të marrin rrogë”, tha Mançevski.
Ai paralajmëroi se do të bëhen ndryshime dhe të Ligjit për procedurë të përgjithshme dhe administrative, i cili tani është i pazbatueshëm, ndërkaq do të ketë edhe revizion të ligjeve për nëpunës administrativë dhe për të punësuar në shërbimin publik.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve, Mançevski tha se si Qeveri, garantojnë që deri në fund të vitit të miratohet Ligji për shërbime audio dhe audiovizuale./koha.mk
Analistët: Rebelët sirianë, qasje të ngjashme me Talebanët n...
Moti sot në Shqipëri
Qeveria prezanton programin për parandalimin dhe zvogëlimin ...
Lansohet platforma për raportimin e korrupsionit
Sot prezantohen rezultatet përfundimtare të regjistrimit të ...
Parashikimi i motit për sot në Kosovë