Zaev para ambasadorëve të BE-së: Në negociatat me Bullgarinë kemi vija të kuqe

12:26 | 20 Janar 2021
Arbresh.info

Në hapësirat e Qeverisë dje u mbajt takimi i rregullt vjetor me shefat e misioneve diplomatike të vendeve të BE-së në RMV, në të cilën kryeministri Zoran Zaev i informoi ambasadorët për aktivitetet aktuale dhe më të rëndësishme në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

Zaev para ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së, të udhëhequr nga shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, David Geer, në mënyrë të detajuar e shpalosi vazhdimësinë e proceseve të ardhshme reformuese, posaçërisht në pjesën e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, reformat në administratën publike.

“Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së shfaqën interes të veçantë në aktivitetet për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Republikën e Bullgarisë për shkak të së cilave nuk u arrit konsensus për kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut në Bruksel, për të cilën në mbledhje u theksua mendimi i pandashëm se procesi duhet sa më shpejtë të vazhdojë, të përfundojë me fillim të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE.

Kryeministri Zaev në mbledhje theksoi se duke pasur parasysh se anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE nuk ka alternativë për ne është e rëndësishme të vazhdojmë dialogun me Bullgarinë, në frymën e respektimit reciprok dhe zbatimin e Marrëveshjes për miqësi përmes bashkëpunimit më intensiv ndër-sektorial.

“Njëkohësisht mbetemi të vendosur për çështje të caktuara, që janë vija të kuqe për ne, siç është identiteti maqedonas dhe gjuha maqedonase, për to nuk negociojmë”, shtoi Kryeministri Zaev.

Gjatë debatit, Kryeministri Zaev e përshëndeti mbështetjen e shprehur për zgjerimin e BE-së nga ana e ambasadores së Portugalisë, Virxhinija Pina, gjatë së cilës shtoi se është shumë i rëndësishëm qëndrimi i kryesisë portugeze se fillimi i bisedimeve me Republikën e Maqedonisë së Veriut janë mes prioriteteve dhe se Portugalia do të bëjë gjithçka që konferenca ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut të mbahet në gjysmën e parë të vitit 2021”, thonë nga Qeveria.

Kryeministri Zaev i ndau edhe pritshmëritë nga Plani investues ekonomik gjithëpërfshirës për Ballkanin Perëndimor të Komisionit Evropian, i cili do të mobilizojë financim deri në 9 miliardë euro për investime në sferat e transportit, energjisë, tranzicionit të gjelbër dhe digjital, për të krijuar rritje të qëndrueshme dhe vende pune, duke nxitur zhvillimin ekonomik të vendit në periudhën e ardhshme post-kovid.

“Mbështetje unanime e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së për perspektivën e qartë të Maqedonisë së Veriut si anëtare e BE-së në mbledhje është një prej motivimeve më të fuqishme për reformat tona që ti sjellim vlerat evropiane në vend”, tha Kryeministri Zaev në mbledhjen e rregullt vjetore me shefat e misioneve diplomatike të vendeve anëtare të BE-së në vendin tonë, e cila u mbajt në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut./telegrafi

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme