Zaev nesër kërkon mandatin nga Presidenti Ivanov

19:26 | 26 Shkurt 2017
Arbresh.info

Nesër pritet që kreu i LSDM-së, Zoran Zaev ta kërkojë nga presidenti Gjorgji Ivanov mandatin për formimin e koalicionit të ri qeveritar, pasi ka përmbushur tanimë kushtin e vendosur nga Ivanov për të krijuar shumicë parlamentare. LSDM ka siguruar mbështetjen e 67 deputetëve për mandatarin Zoran Zaev.

Nga Lëvizja Besa sot konfirmuan se në përputhje me vendimin e fundit të kryesisë qendrore të kësaj partie, dje edhe zyrtarisht i kanë deponuar nënshkrimet e tyre në mbështetje të mandatarit të ri, me qëllim të debllokimit të punës së Kuvendit. Orhan Murtezani nga Lëvizja Besa tha se mbështetja që Zaev të marë mandatin është dhënë pa paragjykuar nëse kjo parti do të jetë ose jo pjesë e Qeverisë së ardhshme.

“Në përputhje me vendimin e mëhershëm të Kryesisë qëndrore të Lëvizjes Besa, gjatë ditës së djeshme ne i kemi dorëzuar nënshkrimet deri të LSDM për formimin e shumicës parlamentare, me çka do të debllokohet Kuvendi dhe institucionet e shtetit, gjithmonë pa paragjykuar nëse do të jemi ose jo pjesë e Qeverisë së ardhshme”, tha Orhan Murtezani nga Lëvizja BESA.

Nga BDI zyrtarisht nuk ka asnjë informatë, por nga kjo parti jozyrtarisht kanë njoftuar mediat në vend se nënshkrimet e deputetëve të kësaj partie në mbështetje të Zaevit janë dhënë po ashtu që gjatë ditës së djeshme. Sot pritet që edhe Aleanca për Shqiptarët të konfirmoj edhe zyrtarisht dhënien e nënshkrimeve, ashtu siç kanë paralajmëruar kohë më parë se do të mbështesin Zaevin për të formuar shumicë parlamentare.

Përndryshe, pas dështimit të negociatave ndërmjet VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, presidenti Gjorgji Ivanov ftoi në një takim liderët e të gjitha partive parlamentare dhe i njoftoi ata se mandatin për formimin e Qeverisë do t’ia ndajë partisë ose koalicionit që do të sigurojë shumicë në Kuvend.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme