Zaev: Ligji për gjuhët nuk dëmton askënd, të ndalohen ndasitë në shoqëri

15:21 | 15 Mars 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka dalë në opinion me qëndrimin e tij zyrtar rreth votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe zhvillimeve të mbrëmshme në Kuvendin e Maqedonisë.

Ai thotë se nga ky ligj civilizues nuk humb askush, dhe se nuk shkelet Kushtetuta, apo edhe Amandamenti 5.

“Mbërmë u votua Ligji për përdorimin e gjuhëve në Kuvendin e Maqedonisë. Ky ligj është kontribut serioz për ndërtimin e koncpetit të një shoqërie për tërë qytetarët e Maqedonisë.

Ky hap e pati mbështetjen në zgjedhjet e kaluara lokale dhe parlamentare.

Kjo vlerë, ‘Maqedonia vendi i të gjithë qytetarëve’ është koncept dhe udhërëfyes për të ardhmen tonë. U përcaktuam për politika që e ndërtojnë Maqedoninë si shtet qytetar për të gjithë që jetojnë aty, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vlleh, romë, boshnjakë, si edhe të gjithë bashkësitë tjera.

Ligji për përdorimin e gjuhëve është në pajtim me Kushtetutën dhe Amandamentin 5 që është sjellë para 17 vitesh.

Askush nuk mundet të jetë mbi Kushtetutën. Me përparimin të drejtave për përdorimin e gjuhëve nuk humb askush, por mundësohen kushte për komunikim më të mirë ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve. Komunikimi i papenguar i qytetarëve është përfitim civilizues.

Njëkohësisht ky ligj në tërësi e garanton përdorimin e gjuhës maqedonase. Është koha t’i hedhim politikat e ndarjes, konflikteve dhe trazirave.

Detyra jonë dhe përgjegjësia jonë duhet të jenë interesat e tërë qytetarëve pa përjashtim”, deklaroi Kryeministri Zoran Zaev, një ditë pas votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve./Telegrafi/

https://www.facebook.com/zaevzoran/videos/10156384935772932/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme