Autoritetet shtetërore maqedonase i kanë kërkuar ambasadores serbe në Shkup që të shpjegojë praninë e këshilltarit të kësaj ambasade në sulmet e dhunshme brenda parlamentit të Maqedonisë më 27 prill. Këshilltari Goran Zhivaljeviç është njëkohësisht oficer i shërbimit serb të zbulimit, BIA. Ambasadorja, Dushanka Divjak-Tomiç pritet brenda ditës së premte të shpjegohet në Ministrinë maqedonase të Punëve të Jashtme lidhur me incidentin.
Por, kryeministri serb Aleksandar Vuçiç pas një takimi të shkurtër me kryeministrin e mandatuar të Maqedonisë, Zoran Zaev, të mërkuren në mbrëmje në Bruksel, është shprehur se agjenti Zhivaljeviç nuk ka kryer ndonjë vepër penale me praninë e tij në turmë, “sepse kjo është detyrë e tij”. Edhe ministri i jashtëm i Serbisë Ivica Daçiç është shprehur ngjashëm, se “këshilltari i Ambasadës ka qenë aty për të parë nëse ka shtetas serbë të përfshirë në ato zhvillime”. Ndërkaq, Zaev shpreson se shërbimet përkatëse do të japin përgjigje mbi rolin e agjentit serb në ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit.
Marrëdhëniet midis autoriteteve më të larta serbe dhe kryeministrit të mandatuar maqedonas, nuk shihen si të mira, prej se ky i fundit kritikonte nëpër intervista presidentin e zgjedhur serb për një qasje nacionaliste dhe përpjekje për ndjelljen e frikës në Serbi pas asaj që po i ndodhte Maqedonisë me fitoren e social-demokratëve. Ndërsa, kryeministri serb Vuçiç kishte komentuar se Zaev po përzihej në punët e brendshme të shtetit fqinj. Mbështetësit e VMRO-DPMNE-së, ndërhynë me dhunë në parlamentin e Maqedonisë më 27 prill, pak pasi shumica parlamentare e përbërë nga Lidhja Social-demokrate dhe partitë politike shqiptare, zgjodhi Talat Xhaferin për kryetar të parlamentit.
Disa deputetë u lënduan nga pasojat e dhunës, përfshirë udhëheqësin e Aleancës për shqiptarët, Ziadin Sela dhe kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev. Një gjykatë në Shkup u caktoi dënime me kusht nëntë të akuzuarve për përfshirje në ngjarjet e dhunshme në parlament.
Vengu në Pentagon: Biseduam për financimin e kapaciteteve të...
Çfarë duhet të dinin për Islandën – kundërshtarin e Kosovës ...
Në Ditën e Alfabetit, prezantohet projekti për Fjalorin e ri...
Edi: Jam tregtari më i mirë i kriptovalutave në Kosovë, përf...
Vrasje me armë zjarri në Tropojë
SHBA, senatorët reagojnë pas tërheqjes nga emërimi të ish-li...